Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi shkarkon nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Bordit të Kullimit për rajonin Korçë- Elbasan-Berat, Nexhip Merolli.
Shkarkimi i tij erdhi pas denoncimit të LSI e cila publikoi përmes deputetit të saj Endrit Braimllari, dokumentet që vërtetonin se Merolli ishte dënuar me 6 muaj burg me vendim të formës së prerë nga gjykata për falsifikim të vulave, stampave apo formularëve.
“Duke marrë në konsideratë faktin e bërë publik, se drejtori i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit për rajonin Korcë-Elbasan-Berat, rezulton fajtor me një vendim të formës së prerë (fakt për të cilin nuk është marrë dijeni në momentin e emërimit të tij) Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, vendosi largimin e tij të menjëhershëm nga detyra.
Qeveria e Shqiperisë s’ka pasur, s’ka dhe s’do të ketë asnjë lëkundje në mbrojtjen e pastertisë së figurës, së çdo zyrtari në varësinë e pushtetit ekzekutiv. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, falenderon dhe inkurajon çdokënd që hedh dritë mbi fakte të kësaj natyre, në funksion të moscënimit të figurës së zyrtarit të shtetit nga asnjë hije e të shkuarës në raport me ligjin”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Bujqësisë.
LEXO EDHE:RAMA EMËRON DREJTOR TË PËRGJITHSHËM TË DËNUARIN NGA GJYKATA (DOKUMENTET)