Mjeku Erion Dasho ka denoncuar shifrën e viktimave të COVID-19 që përditësohet nga ministria e Shëndetësisë, duke u shprehur se kjo shifër është më e lartë.
Ai thotë se ministria përjashton nga shifrat viktimat që humbin jetën në spitalet rajonalë, ata që vdesin në shtëpi dhe madje edhe ata që humbin jetën në spitalet COVID, ë cilët i klasifikojnë si “SARS CoV-2 negative”.
Dasho shprehet se edhe spitalet rajonale janë në kaos për shkak të mbingarkesës me pacientë të prekur nga COVID, ndërsa shton se edhe pse kanë kaluar 3 javë, ende nuk kanë përfunduar 975 vaksinat që u futën kontrabandë.
“Spitalet Rajonale në kaos si pasojë e mbingarkesës me pacientë të prekur nga COVID!
Familjarët e pacientëve refuzojnë transferimin në Tiranë dhe, kur nuk u ofrojnë vende në spitalin rajonal, preferojnë të trajtohen në shtëpi duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shkatërruar ekonominë!
7, 8 apo 9 humbjet e jetëve që raportohen çdo ditë janë vetëm një fraksion i numrit real të vdekjeve duke injoruar pacientët që vdesin në spitale rajonale, shtëpi, madje edhe në spitalet COVID (por që ministria dhe komiteti vazhdojnë t'i klasifikojnë si "SARS-CoV-2 negativë"!
Ministria vazhdon të mbajë stadiumin hapur dhe ende nuk ka përfunduar 975 vaksinat e "kontrabanduara" para tre javësh, kurse përqindja e rasteve që testojnë pozitiv në raport me rastet e testuara ka kaluar sërish mbi 25%!
Katastrofa shëndetësore e paralajmëruar prej muajsh të tërë është ulur këmbëkryq në Shqipëri këtë fund janari...”, shkruan Dasho.