DEPUTETËT 'BOSH' QË MBUSHËN 'BOSHLLËKUN'!

Publikuar tek: pa-stres, më 08:43 30-10-2019 DEPUTETËT 'BOSH' QË MBUSHËN 'BOSHLLËKUN'!

Nga Edi OGA ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

Djegia e mandateve nga deputetët e opozitës, ishte një ngjarje e paprecedentë në historinë e parlamentarizmit botëror, ose të paktën kështu u tha, se kush hyri në "google" dhe e vërtetoi?!

Ata u larguan dhe në parlament lanë një "boshllëk" i cili sipas ligjit, duhej të mbushej!

Siç ndodh rëndom në natyrë, mbushja e një boshllëku është gjithnjë më interesante se vetë "boshllëku"!

Pas një procesi në të cilin u shpalos katërcipërisht fuqia e liderave të opozitës, fytyra e tyre e vërtetë, diktati në parti, personaliteti, sedra, interesi dhe pragmatizmi i çdo emri në listat e kandidatëve, disa prej tyre nxorrën kokën mbi llum dhe thanë "pse jo?".

Një herë të vjen zogu në dorë dhe zog si ky nuk para i vjen kujtdo!

Sy dhe trumbyllurazi i kaluan të gjitha pasiguritë vetjake, paragjykimet dhe gjykimet. Plotësuan letrat dhe morën mandatin e deputetit. Për fat edhe ata që i prisnin, ishin të interesuar për ardhjen e tyre si Saharaja për shiun, kështu që futja e tyre në Parlament i ngjau ardhjes së krushqve në dasëm. Por si erdhën ata në "dasëm"? Ka një shprehje populli për ata që vijnë të papërgatitur në dasëm. Një shprehje që përmban një organ meskëmbëtor femëror!

Si fëmijë të lumtur të klasës së parë, u ulën në bankat e Parlamentit, deputetët e rinj!

Të përbashkët, përveç ndrojtjes së kapërximit të madh në jetë, kanë edhe njohuritë mbi alfabetin. Në dallim nga deputetët, nxënësit e klasës së parë do ta mësojnë atë pak nga pak deri në fund, kurse deputetët nuk do të bëjnë dot "xhap"; aq pak sa dinin kur u futën në parlament, aq do të dinë edhe kur të dalin. Për këtë populli ka një shprehje me kastravec që hyn e del.

Në fakt ata nuk janë aty për të nxënë, ata janë aty për të propozuar, diskutuar dhe miratuar ligje! Ligje që rregullojnë dhe kontrollojnë jetët tona! Kjo punë është shumë më e lehtë sesa të mësosh shkronjat. Kjo është punë ngjyrash, është punë parashkollorësh të kopshtit. Janë vetëm dy ngjyra, jeshilja dhe e kuqja. Kur të thonë ngrej kartonin e kuq, do ngresh të kuqin, kur të thonë ngrej jeshilin, ngrej jeshilin. Ja pra ku e bëre edhe punën si deputet! Urdhëro rrogën, dietat, privilegjet! Vetëm mos u ço në foltore të mbash fjalim se na dhjeve!

Në fillim deputetët e rinj ishin të ndrojtur, sepse në televizor kishin parë luftë parlamentare dhe ata nuk kishin luftuar kurrë në jetë. Ata thjesht i kishin dhënë një të njohuri kartën e identitetit, për t'i shkruar emrin formalisht në një listë me kandidatë, me shpresën se kjo do t'u sillte ndonjë lugë sheqer. Ku ta dinin ata që në një ditë do ta shihnin veten duke plluskuar në një vaskë me mjaltë!

Nëse i keni vënë re, javët e fundit deputetët e rinj janë shumë aktivë. Të gjitha energjitë e tyre erëdjersë po i shpenzojnë në një kauzë të vetme, në reformën zgjedhore, e cila sigurisht duhet bërë! Në fakt, shumica e tyre nuk e kuptojnë fare se çfarë rëndësie ka kjo, thjesht dikush që ata i besojnë u ka thënë se vetëm reforma e re mund t'u sigurojë atyre një mandat të ri në parlament, pra katër vite të tjera not në vaskën me mjaltë!

Edhe këta na duheshin! A thua kishim pak gjëra që të bëjnë njëkohëshist edhe për të qeshur, edhe për të qarë!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « FATURA E KAFES SË NEGOCIATAVE
»
Article Logic
Execution time: 0.014867067337036
array(1) { ["section"]=> string(43) "deputetet-bosh-qe-mbushen-boshllekun-184015" }