Ndonëse i konsideruar historikisht si minoritet grek nga shteti fqinj, sot për Himarën dhe banorët e saj ka qenë një ditë e shënuar.
Me pamjen e një natyre unike, ku freskia e detit ndërthurët mjaft mirë me gjelbërimin e maleve që shtrihen përreth gjirit, kjo krahinë sot është nderuar edhe me një tjetër simbol, flamurin shqiptar.
Në ballë të krahinës së Himarës është organizuar një ceremoni për nderimin e saj me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ky vlerësim është dhënë nga vetë presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i pranishëm në këtë organizim.
Pjesëmarrësit ishin të shumtë, ndërsa një moment për tu theksuar është fakti kur poeti i shquar shqiptar, Lefter Çipa, pas fjalës së tij është përulur para flamurit Kuq e Zi, vendosur mbi tribunë.
Një moment i tillë u përshëndet nga të gjithë të pranishmit, ndërsa ky fakt pritet të ngjallë shumë reagime nga mediat dhe instance të caktuara greke.
Kjo ceremoni u shoqërua edhe nga këngë polifonike të krahinës. Grupet e folkut i kënduan krahinës së Himarës për këtë ditë që do të mbahet mend gjatë në memorien e himariotëve.