Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës Alaudin Malaj dha dorëheqjen disa muaj më parë, para se t’i nënshtrohej procesit të Vetting-ut.
Duke u dorëhequr, gjyqtari i Apelit nuk ishte më i detyruar të dilte para KPK-së për verifikim pasurie e figure edhe pse Malaj është lakuar për fshehje pasurie. Në vitin 2015, ILDKPI e ka kallëzuar për fshehje dhe pastrim parash të një shume prej 1.7 milionë euro.
Por tashmë Malaj duket se është penduar dhe ka kërkuar të rikthehet sërish në sistemin e Drejtësisë, pasi ka bërë kërkesë që çështja e tij të rikthehet në shkallën e parë të Vetting-ut.
Do të jetë trupa gjykuese e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Ina Rama që do të verifikojnë pastërtinë e figurës së gjyqtarit Malaj.