Mjeshtri i kinematografisë shqiptare, regjisori i më shumë se 20 filmave, Dhimitër Anagnosti, feston sot ditëlindjen e 85-të. Ai ka lindur në Vuno në 23 janar 1936.
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, "Komisari i dritës" dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin "Dueli i heshtur". Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Dhimitër Anagnosti është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.