Gjykata e Romës ka dënuar me 7 vite burg një nga të akuzuarit për rrëmbimin, drogimin dhe përdhunimin e vajzës shqiptare Besjana Kosturi në Itali.
Akuzat që rëndonin mbi autorin ishin “sekuestrim personi” e “dhunim fizik”. Ngjarja e ndodhur në maj të vitit 2016, në lagjen Prenestina të Romës.
Besjana e babai i saj, profesori Vladimir Kosturi u shprehen të kënaqur nga ky vendim, në një komunikim telefonik për Ora News.
“Vendimi maksimal i parashikuar nga kushtetuta italiane është 10 vjet burg, por meqë autori ka pranuar fajin e ka kërkuar një gjykim të shkurtuar, dënimi është ulur në 7 vjet”, – u shprehën at e bijë.
Babai i Besjanës, i cili është kryetar i shoqatës shqiptare “Iliria” në Romë, shprehet gjithashtu se falë kërkesës së bërë në emër të kësaj shoqate, Gjykata e Romës ka marrë vendimin dhe për përmirësimi e lagjes ku ndodhi ngjarja e rëndë, e ku prej kohësh është pozicionuar një kamp rom.
Sipas Vladimir Kosturit, falë kërkesës së shoqatës Iliria u arrit dhe një kërkesë që prej kohësh është bërë nga banorët e lagjes. “Jemi të kënaqur e shpresojmë që shumë shpejt ky kamp rom, kaq pranë banesave tona, të mos vë më në rrezik jetën e fëmijëve e familjeve tona” -u shpreh babai i vajzës.