Florenc Hoxha, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryetar i Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës ka rënë në prangat e policisë.
Hoxha pasi kanosi se do t’u prishte lokalin shtetasve me iniciale K.K, 35 vjeç dhe E.K, 37 vjeç, i ka goditur me shkelma dhe grushta. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Ali Demi”.
Ndërkohë gjatë konfrontimit fizik ka mbetur i plagosur edhe truproja i Hoxhës, Fation Dani i cili ndodhet në gjendje kritike pasi është goditur me levë në pjesën e kokës. Familjarët e truprojës theksojnë se në komunikatën e policisë nuk është thënë që ka mbetur i plagosur edhe Fation Dani. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PD që nëpërmjet një daljeje pubike të Ivi Kaso akuzoi policinë e shtetit se ka fshehur ngjarjen dhe ka mbuluar agresorët.
"Policia e ka fshehur ngjarjen. Policia e shtetit i ka marrë të gjitha masat që të fshehin agresorët dhe të mbrojnë ata që sulmojnë. Në gjendje të rëndë është truproja i Florenc Hoxhës, por edhe kreu i INUV", thotë PD duke shtuar se Hoxha ndodhet në ambientet e paraburgimit e ndërsa truproja i tij në sallën e operacionit.