Alarmi pas videove, Didi mbledh shefat e komisariateve: Respektoni qytetarët

Publikuar tek: aktualitet, më 16:05 21-02-2015 Alarmi pas videove, Didi mbledh shefat e komisariateve: Respektoni qytetarët

Drejtori i Përgjithshëm Artan Didi ka mbledhur sot shefat e komisariateve të Shqipërisë pas situatës alarmante që u krijua me publikimin e dy videove ku shiheshin të dhunoheshin nga policia dy qytetarë.

Një rast dhune në qytetin e Kavajës dhe tjeteri në Korçë kanë qenë të mjaftueshme për të treguar edhe një herë tjetër nevojën për përmirësim brenda Policisë së Shtetit. Edhe pse video ku dhunohej 33 vjeçari Tomi Misha nga dy efektivët e policisë u bë publike në media, duke sjell edhe reagimin e ministrit të Brendshëm, kjo nuk e ka penguar zëvendësdrejtorin e Policisë së Korçës, Arben Hyseni të ushtrojë dhunë ndaj Mishës edhe brenda qelive të paraburgimit.

Familjarët e 33 vjeçarit kanë denoncuar paraditen e sotme, se djali i tyre është transportuar drejt spitalit për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga goditjet në burg.

Pas ngjarjes Hyseni është shkarkuar nga posti që mbante.

Ndërsa drejtori i Përgjishëm i Policisë nuk ka pritur më shumë se 24 orë për të mbledhur në Tiranë të gjithë shefat e komisariateve të vendit, për të diskutuar këto ngjarje të dhunshme.

Didi është treguar kritik gjatë takimit, duke kërkuar nga efektivët e policisë që të mos tregojnë forcën e tyre ndaj qytetarëve, por atë të ligjit.

"Këto veprime kanë cenuar rëndë imazhin dhe punën e policisë, dhe minojnë  punën e madhe që ka bërë dhe po bën Policia e Shtetit.Askush nga ju, apo cili do punonjës policie nuk është i emëruar në detyrë për të treguar se sa të fortë jeni , por për të treguar se sa i fortë është ligji.Askush  s’ju ka dhënë të drejtën të ndani qytetarët në kategori e në emra të përveçëm ,  por të zbatoni ligjin njësoj për të gjithë e t’ju shërbeni të gjithëve me të njëjtin standard shërbimi. Respektoni liritë dhe të drejtat e qytetarit , ofroni për qytetarin shërbim sa më të kulturuar, sa më profesional, prodhoni rend e siguri për komunitetin ku shërbeni e jo veprime të tilla të shfaqura në media”, u ka thënë Didi shefave të komisariateve.

Kreu i Policisë ka thënë gjithashtu se puna e këtij institucioni nuk duhet të matet vetëm me statistikat, por edhe me perceptimin që ekziston tek qytetarët.

"Merrni masa të menjëhershme për një kontroll sa më të mirë të terrenit, të marrjes së  informacionit në kohë për të parandaluar dhe zbuluar ngjarjet kriminale si  dhe bashkëpunoni me komunitetin se puna jonë pa bashkëpunimin e komunitetit nuk mund të ketë rezultatet e pritshme nga të dyja palët. Puna juaj është e  monitoruar nga qytetarët dhe media, ndaj tregoni përgjegjshmëri e profesionalizëm , përkushtim e ndershmëri , performancë në komunikim e paraqitje dhe komuniteti ka për t’ju vlerësuar dhe mbështetur", ka deklaruar Didi.

Kryeministri Edi Rama duke komentuar publikimin e videove, u shpreh se në këtë mënyrë mund të dënohen sjelljet e patolerueshme të policisë.

Ndërsa PD duke dënuar sjelljen e policëve, ka thënë se Policia është duke bërë luftë me qytetarët dhe jo me kriminelët.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Prokuroria dërgon për gjykim 30 banorë të Lazaratit
Arrestohet në Greqi vrasësi serial shqiptar »
Article Logic
Execution time: 0.012711048126221
array(1) { ["section"]=> string(70) "didi-ngjarjet-e-fundit-demtojne-policine-e-shtetit-jane-sporadike-4041" }