DIELLI YNË DHE KOMETA BORCHARDT!

Publikuar tek: pa-stres, më 09:26 16-10-2019 DIELLI YNË DHE KOMETA BORCHARDT!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Ne shqiptarët, kemi muaj që jetojmë me një hall të madh; a do të lindë Dielli më 19 Tetor apo jo? Përveç kësaj na shqetëson dhe diçka tjetër; a është e bukur jeta?

Por AI doli vetë dhe na qetësoi;" më 19 tetor Dielli do të lindë sërish, jeta është e bukur!"

I morëm të dyja përgjigjet e halleve tona torturuese në një fjali të vetme!

A e mbani mend o dele ose jo, spotin elektoral të atij supernjeriut, që me një litar lopësh ka lidhur diellin dhe e tërheq manëtonë që të na bëjë dritë e të na ngrohë? Nuk është faji i tij që nga ana tjetër, diellin e kanë lidhur fort dhe e tërheqin egërsisht Makroni, nallanedrunjtë hollandezë dhe të gjithë ata që nuk duan të kemi diell! Ata janë shumë kurse ai është një! Ai tërheq fort, por ata janë shumë dhe tërheqin më fort...! Medet! E tërhoqën përsëri diellin nga ana e tyre...!

E megjithatë, "më 19 Tetor, dielli do të lindë sërish", sepse Dielli është vetë AI!

Prandaj mos u shqetësoni o njerëz!

Në datë 19 do të ketë diell, kështu që bëni dy lavatriçe njëra pas tjetrës se rrobat do të thahen, garanton AI!

Mos kini asnjë dyshim, "jeta është e bukur!", sidomos kur ti je vetë Dielli, ose kur ti je pranë tij. Jeta është e bukur kur ti je në qendër të gjithçkaje dhe të të gjithëve dhe çdo gjë rrotullohet rreth vetes, por sidomos rreth teje! Ti dhe ata që janë pranë teje marrin dritë dhe ngrohtësi. Ata janë planetët e tu të preferuar, janë oligarkët, ministrat dhe ministreshat, servilat e partisë me soj e sorollop për të cilët jeta është plot dritë, plot energji, plot begati. Sepse ata janë pranë teje. Për ty dhe për ta, jeta është e bukur!

Nuk është faji yt o Diell pse disa planetë dhe hënat e tyre të largohen dhe të rrinë larg. Rrotullohen me shpejtësi rreth vetes por vonojnë të rrotullohen rreth teje. Ti, si Diell i madh dhe i vetmi i njohur, dëshiron t'i ngrohësh edhe ata, po ata të largohen dhe duken sikur duan të largohen nga sistemi yt diellor! Janë opozitarët, o Diell. Por t'i ke një gravitet të paparë o Diell; ti arrin ti kontrollosh edhe ata, planetët e largët. I mban të ftohtë por i detyron të rrotullohen rreth teje. As i... ngroh, as i lëshon!

Herë pas here, në sistemin tënd diellor, edhe ndonjë kometë! E fundit që kaloi ishte kometa Borchardt. E ndodhur pranë teje, e ngrohur dhe e ndriçuar për qejf, kjo kometë u nxorri përçmueshëm gishtin e mesit planeteve dhe hënave të tyre që janë larg teje!

Herën e fundit që një mbret i mbushi mendjen vetes dhe të tjerëve se ishte Diell, ishte Luigji i Katërmbëdhjetë, treqind e ca vite të shkuara. Ai "ndriçoi dhe ngrohu" popullin e tij për 72 vite e 110 ditë me rradhë... Për të mësuar më tepër, na duhet të gjejmë librat dhe t'i lexojmë, sepse në lëndinën ku jemi duke kulloturm bari që rrit drita jote o Diell, nuk sjell njeri libra për të lexuar!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.008821964263916
array(1) { ["section"]=> string(38) "dielli-yne-dhe-kometa-borchardt-182257" }