Prefekti i Lezhës Gjok Jaku është treguar i ashpër me drejtuesit lokalë për reagimin dhe marrjen e masave për përballimin e fatkeqësive natyre.
Në një mbledhje me emergjencat e qarkut të Lezhës, Jaku zbuloi se ka hasur vetë në vështirësi për t’u lidhur me personat përgjegjës në menaxhimin e situatave të rënda natyrore.
‘’Ndodh një situatë dhe duhet të kërkoj në telefon 3 vetë për të gjetur drejtorin X apo kryeinspektorin Y për të qenë në përballimin e situatave’’, foli para pjesëtarëve të sektorit të emergjencave të Lezhës prefekti Jaku.
Ardhja e vjeshtës dhe dimrit do të sjellë reshje të shumta shiu dhe përmbytje të mundshme. Për t’i paraprirë të papriturave, Jaku paralajmëroi zyrtarët e Lezhës se do të mbajnë përgjegjësi penale në funksion të detyrës që kanë gjatë kohës së meaxhimit të problemeve që do të sjellë moti.
‘’Për secilin nga aktorët që ligji i cakton të jenë pjesë integrale e grupit të punës, e vë përpara dhe një përgjegjësie penale”, u shpreh në mbledhje me emergjencat e Lezhës prefekti Gjok Jaku.