Diplomat universitare po e trajtojnë rininë si debile

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:18 13-04-2015 Diplomat universitare po e trajtojnë rininë si debile

Problemi me projektligjin e arsimit të lartë nuk është fare në thelb dhe as kryesisht në aspektin ekonomik. Të jemi të qartë dhe të sqaruar për këtë. Këtë nuk po kupton burokracia e sektorit të arsimit. Çdo qëndrim tjetër do të ishte një tradheti ndaj kauzës universitare si kauzë emancipimi dhe demokratizimi.

Jo privati merr a nuk merr financime, jo është kaq apo aq fondi për universitetet, janë të dorës të dytë, të varura nga parime themelore, problemet janë shumë, shumë, shumë, më të mëdha sesa kaq.

Këto janë çeshtje krejt dytësore.

Mos i trajtoni ju studentët si lypsarë që gjoja kufizohen vetëm me kërkesa për paret e xhepit e për të ngrënë sufllaqe e byrekë me spinaq pa spinaq. Mos i trajtoni pedagogët sikur duan thjesht ca lekë me shumë. Problemi në rradhë të parë është politik.

Politik.

Politika u mbivendoset me anë të disa gjoja agjencive, drejtorive burokratiko-militante sikurse e gjithë administrata në këto 25 vjet, si një censurë gjigande institucionale dhe partiake shkencës dhe arsimit.

Ca nuk duan ta kuptojnë këtë sepse ndoshta nuk ua ka fort qejfi ta kuptojnë meqë e pëlqejne pushtetin politik mbi shkencën.

Ideja se kur të vijmë në pushtet do ta abrogojme këtë ligj, që dëgjohet këtej rrotull, është një farsë dhe e parimit prit gomar të mbijë bar. Le të vazhdojnë të shkatërrohen edhe ca vite jetë studentesh, shkatërrimi na jep vota.

Universitetet bien në dorën e burokracisë duke ia marrë çdo pushtet shkencor dhe arsimor Profesoratit. Drejtohen si kazerma burokratike.

Profesorët do të trajtohen më keq sesa tani, ca leshko të çmendur, gjysmë hajdutë gjysmë delirantë... Ky është imazhi që na percjell dikasteri i arsimit kur po të kesh mendim të kundërt me të, shpallesh se të ka marrë koka erë... Por, kur nuk ke kokë fare si i bëhet hallit...

Edhe na ftojnë të debatojmë "lirisht" edhe ndyjnë hapësirën e të folurit me sharje edhe ofendime. Përgjegjësinë për këtë e ka vetë zonja ministre e arsimit që lejon njërin nga zëvendësit e saj, një nëpunës të dorës të dytë, të shkelë etikën e të folurit publik dhe të lëshuar nga goja pa fre çfarë i vjen atje...duke qëndruar pa folur sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Disa nuk duan ta kuptojnë këtë.

Studentët nuk kanë asnjë të drejtë thelbësore sepse disa të drejtat studentore i kuptojne si në politikë, hajde hidh këto fletët e votimit në kuti dhe ik qërohu tani, fshij buzët. E drejta e studentëve është që të vendosen ata vetë në qendër të kurrikulës.

Problemi është politik sepse shkelen parimet kushtetuese për barazi qytetare në së paku dhjetë pika shumë të rëndësishme që ka politikanë që nuk po i shohin dot. Si duket nuk duan t'i shohin.

Problemi është politik sepse arsimi i lartë duke i detyruar studentët të rrine deri në moshën 25 vjeç në bankat e shkollës, e duke u dhënë diploma pa vlere, ul me gënjeshtra statistikat e papunësisë, dhe u merr jetën studentëve sepse në atë moshë është e pamundur më të orientohesh në tregun e punës në mënyrë cilësore.

Arsimi po i merr jetën rinisë. Kjo është drama e madhe.

Problemi është politik sepse ligji duhet të realizojë koherencën midis arsimit dhe shoqërisë dhe jo nga njëra anë të japë diploma dhe nga ana tjetër të mbyllë hapësirat sociale për vende pune të diplomuarish.

Ne duam një shoqëri të kulturës dhe jo një shoqëri qebaptoresh mbushur me militantë që u kanë hequr trurin.

Problemi është politik sepse në shoqëri nuk funksionin meritokracia. Studentët e shkëlqyer moralisht dhe intelektualisht mbesin pa punë sepse sektori publik është mbushur për 25 vjet me vëllanë e babit, me gjyshin e vjehrrit, me mamin e nuses, me djalin e hallës të çunit të dajës, të vëllait të tezes.

Problemi është politik sepse historia nuk është dy-vjeçare por 25- vjeçare, 250- vjeçare. Universitetet janë pushtet me vete. Kështu kanë lindur dhe kështu ekzistojnë në botën e vërtetë demokratike.

Prandaj ka politikanë që qëndrojnë thjesht te kërkesat ekonomike të studentëve që sigurisht edhe ato merren nëpër këmbë.

Por, skllavi nuk është skllav se nuk ka se çfarë të hajë, por nuk ka se çfarë të hajë sepse është skllav pa të drejta politike brenda botës universitare dhe më tej.

Problemi është politik sepse profesorati nuk ka as të siguruar të drejten e autorësise sepse fotokopja gëlon, njësoj sikur të të thonë : Të rrofshin librat se unë t'i vjedh sy për sy. Nuk e kanë fajin studentët që ligji i shndërron në hajdutë të detyruar, por POLITIKA që nuk ka një bibliotekë të hajrit duke na zhytur në erresirë e detyruar studentët të heqin bukën e gojës për të blerë një libër.

Problemi nuk eshte pse privati te subvencionohet nga buxheti publik, kjo edhe ndodh, problemi eshte POLITIK, pra qe privati na beka edhe rregullat per arsimin publik, skandali POLITIK eshte qe privatin e kane lene pa asnje rregull, si qen i zgjidhur nga zinxhiret, duke demtuar privatet e ndershem, qe pa perkrahje politike sulmohen dhe poshterohen, dhe te tjeret kercenohen per te mbyllur gojen.

Privati sipas kesaj pacavures edhe merr fonde nga buxheti publik edhe mund te investoje per fitimet e veta egoiste per te ndertuar metalurgjikun, ngritur spitale psikiatrike, hapur gazeta, care tunelin Tirane - Elbasan, organizuar festen e veres, me ballokume, organizuar dhe mbeshtetur fushata per mbrojtjen e homoseksualeve, etj.

Mos na genjeni e u genjeni me kerkesa ekonomike, problemi eshte politik :

Do te kemi nje universitet qe emancipon shoqerine, apo do te kemi diploma universitare qe nuk jane veçse letra pa vlere nderkohe qe po i shkaterrojne jeten rinise qe e trajtojne si debile?

Marrë nga profili në ‘’Facebook’’. Titulli redaksional

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0084578990936279
array(1) { ["section"]=> string(58) "diplomat-universitare-po-e-trajtojne-rinine-si-debile-8542" }