Dita e Europës? Koha për ndjesë e reflektim

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:13 09-05-2020  Dita e Europës? Koha për ndjesë e reflektim

Nga Afrim Krasniqi

Sot është dita e Europës dhe portalet janë mbushur me urime, foto e lëvdata nga udhëheqësit tanë, siç ndodh për çdo datë, ngjarje, vdekje, lindje, sukses të dikujt apo rast tjetër që përbën lajm për ta! Dhe mediat që i japin copy paste pa e vrarë mendjen për përmbajtjen dhe as për faktin e asnjë prej tyre nuk përbën lajm!

Në fakt, Dita e Europës nuk ofron shumë arsye për tu festuar në Tiranë. Shumë më e ndershme do të ishte ta shihnim si ditë reflektimi. Sepse kur u vendos kjo datë ne ishim në anën e kundërt me Europën, sepse kur Europa u bashkua, u zgjerua, u bë demokratike, ne përsëri ishim ose në anën e kundërt, ose të dënuar prej udhëheqësve tanë periodike të mbetemi jashtë saj. Më 1990 u frymëzuam nga thirrja, “E duam Shqipërinë si Europën”, por në fakt, pas 30 vitesh ende nuk jemi si Europa dhe as në Europë në kuptimin e vlerave dhe standardeve që ajo përfaqëson.

Europa sot ka ndryshuar, ajo është më burokratike se më parë, më me shumë probleme sesa më parë, megjithatë mbetet modeli i vetëm frymëzues për kohën. Por edhe ne kemi ndryshuar, dhe tek ne jo çdo ndryshim vjen patjetër për mirë: p.sh, nëse i hedh sytë hartës politike europiane, vështirë të gjesh vend tjetër që pas 30 vitesh ka të njëjtat klika udhëheqëse e dominuese në politikë, shtet e shoqëri si Shqipëria. Gabimisht ne ende e shohim “Europën” si një dhuratë që na takon, si një e drejtë që na është marrë, si një bankë që duhet të na financojë çdo vit e për gjithçka, si një njësi speciale që duhet të na ndihmojë e shpëtojë sa herë ngatërrohemi me këmbët tona.

Dhe rrallë, shumë rrallë ndodh të shohim veten në pasqyrë e të kuptojmë se në të vërtetë ditën e krijimit të Europës e kemi humbur ne, dhuratën e kemi refuzuar ne, shanset i kemi injoruar ne, të drejtën e kemi abuzuar ne, ndihmën e mbështetjen financiare e kemi keqpërdorur ne.

Ndaj në Ditën e Europës, klika politike e vilave, resorteve, oligarkisë private dhe partive-private në vendin më të varfër dhe më të vonuar në procesin integrues në Europë, të ndërgjegjshëm se nuk presim prej tyre të na kërkojnë ndjesë apo të kenë aftësinë e vizionin për reflektim e inspirim për “E duam Shqipërinë si Europa”, së paku do të duhej të heshte. Sepse kryesisht prej tyre sot nuk ka ditë të Europës në Shqipëri, por propagandë duke e keqpërdorur atë.

Dhe nëse ata nuk e bëjnë, siç nuk e kanë bërë asnjëherë, së paku ne, media e qytetarët civilë, duhet t’i refuzojmë t’i dëgjojmë, si lexojmë apo t’i shikojmë kur na imponohen si rruga e vetme, zgjidhja dhe e ardhmja jonë, kur na trajtojnë si turmë pa memorie e pa respekt për veten, - si dhe njëherësh tu kujtojmë me zë të lartë e kurajë se ky vend, kjo shoqëri dhe këta njerëz meritojnë një Ditë të Europës pa modelet orientale e kleptokratike të tyre, pra meritojnë më shumë Europë në Tiranë në sjellje, në mentalitet, në kulturë, në akte, në vendimmarrje, në vlera, në parime dhe në fuqinë e besimin për ndryshim!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0086138248443604
array(1) { ["section"]=> string(49) "dita-e-europes-koha-per-ndjese-e-reflektim-205798" }