Dita e qokës!

Publikuar tek: fcb-bomb, më 12:29 21-04-2020 Dita e qokës!

Nga Denis Dyrnjaja

Sot është dita, kur kush e kush më parë, të lërë distancimin social, jo këtë të Coronavirusit, por atë tjetrin që e kemi të përhershëm në jetën tonë të zakonshme, e të bëjë qokën. Vdiq Rikard Larja e si ja do tradita në të tilla raste çelet panairi i qokave. Zgjidhen fjalët më të goditura, thuren lavde e krijohet pjedestali i madhështisë me tullat e hipokrizisë. Atë pjedestal që ndoshta po të ishte gjallë me siguri Rikardi ose do ta refuzonte ose do ta rrëzonte. Këto fjalë ndoshta s'duhen thënë në ditë morti, por mendoj se e vërteta nuk ka as datë, as ditë, as orë. Ajo thuhet atëherë kur vjen për ta thënë. E ikja e Rikard Larjes i dha shtysë dufit emotiv. Prej se u dha lajmi se zemra e aktorit pushoi, vërshuan "zemërthyerit" me mesazhe publike, rrjetet sociale u mbushën me lavde e madhështi. Filluan shtetarët e pastaj të tjerët, kush dje e kush sot, të gjithë po flasin për Rikardin, por pasi vdiq. Po pardje, para dy ditësh, dy muajsh, dy vitesh përse askush nuk foli për Rikardin. Folën vetëm filmat e tij, pra fliste vetëm ai përmes veprës së tij, të tjerët, idhëtarët e prekur sot kishin harruar se ai jeton. Kishin harruar ku dhe në ç'kushte jeton. Ashtu si kanë harruar, Reshat Arbanën, Timka Kurtin, Robert Ndrenikën e shumë e shumë emra të tjerë.

Askush nuk flet për ta sot, veç heshtjes. Silikoni ka mbushur jetët dhe mendjet tona. Në to nuk ka më vend për natyralen, për rrudhën e ballit, për të bukurën e dikurshme të shijuar, që sot është shndërruar në të bukur të praruar, për forcën dhe vitalitetin e zërave që vitet mbi moshë nuk ua zvenisin dot forcën dhe potencën me të cilën ata skalitën me "daltën e fjalës artistike", mendjet tona, mendjet e një kombi, që sot i ka futur në albumet e harresës njerëzit që i dhanë kulturë, i mësuan të ishin të ndjeshëm dhe iu mbajtën gjallë ndjenjat përmes artit edhe në pamundësi ideologjike. Personalisht se kam patur Rikard Larjen aktor të preferuar, por kontributin e tij në art e konsideroj një vlerë të paçmuar. Dhe si ndaj çdo vlere dhe kontributi unë sot përulem simbolikisht me mirënjohje. Ti vlerësojmë e duartrokasim ata sa i kemi mbi tokë, se nëntokë as na dëgjojnë, as nuk na shohin sesa të pacipë jemi në hipokrizinë tonë.

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0095460414886475
array(1) { ["section"]=> string(19) "dita-e-qokes-203408" }