Ditari i një gazetari: Rrëfej Vlorën e shkurtit 1998 nga TV Amantia

Publikuar tek: aktualitet, më 10:40 20-02-2015 Ditari i një gazetari: Rrëfej Vlorën e shkurtit 1998 nga TV Amantia Gazetaret e pare te TV Amantia ne 1998, i fundit djathtas Ergys Alushi qe tregon historine

Gazetari i Vlorës Ergys Alushi zbardh “ditarin” personal për televizionin e parë privat rajonal në Vlorë Tv Amantia. Si sot 17 vjet më parë, filloi edicioni i parë informativ nëpërmjet këtij televizioni. Në qytetin e Vlorës, situata vazhdonte të ishte e tensionuar. Edhe pse forcat e policisë, kishin arritur të ringrinin komisariatin, sërish kishte tentativa të dhunshme për të ndërhyrë me armë kundër forcave të policisë. Gazetarët kurajozë, kanë raportuar moment pas momenti se çfarë ka ndodhur në këtë qytet. Megjithatë, ja një “Ditar” i shkruar nga një gazetar, për të kujtuar momentet e para të përçimit të fjalës së lirë.

Nga Ergys Alushi

Si sot, 17 vjet më parë, në TV Amantia, së bashku me Roland Mingën, Petro Papakostën e Agron Kaso (operator), do të përgatisnim edicionin e parë informativ, në një televizion privat, që ndoshta mund të jetë dhe i pari në rang vendi,

Në 20 shkurt 1998.

Deri në atë ditë, po rendis disa data të muajit shkurt 1998

1 shkurt 1998/ E diel

Më thërrasin për punë në televizion.
Më në fund, do të përgatisja lajme për një televizion.
Landi dhe Petro më duken djem të mirë.

13 shkurt 1998/ E premte
Përgatis një kronikë për Panairin e shoqatës për nxitjen e biznesit të grave.
Ditët vazhdojnë të jenë me diell e me pluhur.

14 shkurt 1998/E shtunë
Sot përgatita një kronikë për një takim pune midis pushtetit lokal dhe instancave qeveritare.
Koha e bukur shoqëroi festën e të dashuruarve.
Në rastin tim, asgjë konkrete, ditë si të gjithë të tjerat.
Monotone në fushën e ndjenjave.

15 shkurt 1998/E diel
Në bisedë me Jasharin më ngarkohet departamenti i lajmeve.
Më këshillon që të përgatisja lajme të forta dhe të mos toleroja asnjë.
Vetëm kështu mund të bëhesh gazetar i mirë, sepse më dukesh djalë i zgjuar, me penë të fortë dhe këtë opinion kanë edhe disa miq të mi, që më kanë thënë fjalë të mira për ty. Shenja të mira. Pas disa kronikave të përgatitura, që do të ishin edhe prova ime, për përgatitjen e një edicioni informativ erdhi dhe dita e shënuar, një ditë e vecantë për mua, që do të ndikojë në rrugëtimin tim në fushën e gazetarisë.

20 shkurt 1998/E premte
Fillon edicioni i parë i lajmeve në TV 1 Amantia.
8 lajme dhe një kronikë.
Gëzimi na përfshiu të gjithëve në televizion.

Titujt e lajmeve sipas renditjes në edicion:

- Mësim tregues në mjediset e forcave të ndërhyrjes së shpejtë

Në kuadër të përgjegjësimit për gjendjen në të cilën po kalon qyteti ynë, në mjediset e forcave të ndërhyrjes së shpejtë, u zhvillua një mësim tregues.
Ishin të pranishëm edhe titullarë të Ministrisë së Brendshme dhe funksionarë të lartë të policisë.
Pati demonstrime të ndryshme force.
Përgatitje fizike, luftim trup më trup dhe kundër personave të armatosur.
Vetëm fishekët e manovrës “tradhtuan”seriozitetin me të cilin u krye ky mësim tregues.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe policisë qendrore përgëzuan për punën e mirë dhe gatishmërinë e këtij reparti.
Gjithashtu u premtua dhe ndihme për bazë logjistike dhe mjete transporti, si mundësi më shumë për të luftuar krimin e organizuar dhe vendosjen e qetësisë në qytetin e Vlorës.

- Së shpejti OSBE zyrë edhe në Vlorë
- Masa për ndalimin e klandestinëve
- Pension grave të papuna
- Arsimi paraqet vështirësi në reformën që kryhet
- Sigurimi shëndetësor dhe përfitimi prej saj
- Rrezikohet punësimi sezonal i njerëzve
- 19 vjeçarja nga Kota, var veten

Një edicion i mirëfilltë informativ, me spiker, me sigël, me kronika me figurë edhe pse jo me montazh.
Për edicionin e parë informativ që është përgatitur në TV Amantia, kam ruajtur me kujdes edhe shkrimet e asaj dite, të shkruara me dorë nga ana ime dhe të lexuara nga spikeri i atyre lajmeve dhe njëkohësisht regjisori, Roland Minga.

22 shkurt 1998/E diel
Edicioni i dytë i lajmeve.
Dhe një kronikë në përfundim të tij.
Dje nuk përgatitëm edicion.
Është fillimi dhe ende nuk e përballojmë dot me lajme, por do t’ia dalim t’i përgatisim ditë për ditë.

Për t’i rikujtuar lexuesit sadopak nga ajo kohë, po rendis disa nga ngjarjet që kanë ndodhur në Vlorë, përgjatë vitit 1998.

23 shkurt të vitit 1998, do të fillonte veprimtarinë e vet në Vlorë, Gjykata e Apelit, me ardhjen e 4 gjyqtarëve nga Tirana.

Në shkurt të po këtij viti, nga ngjarja e ndodhur në Shkodër, ku u sulmua me armë komisariati i atij qyteti, në Vlorë, do të rikthehet frika e përsëritjes së ngjarjeve të vitit 1997.
Ato ditë, komisariati i policisë Vlorë do të kalonte në një gatishmëri të lartë dhe më kujtohen intervistat që kanë dhënë ato ditë drejtuesit më të lartë të policisë Vlorë, Sinan Meta me detyrën e nëndrejtorit të policisë, Hadër Çako, shef komisariati dhe Isa Qatja, shef rendi.
Kaq e rënduar ishte situata sa më kujtohet një thënie e shefit të komisariatit, i cili ndër të tjera në deklaratën e tij do të thoshte se “ta dinë të gjithë ata që do të guxojnë të sulmojnë komisariatin se do të jenë nën breshërinë e armëve të policisë”

Po në muajin shkurt, policia e Vlorës ka njoftuar ardhjen në Vlorë të 4 motovedetave italiane të cilat do të patrullonin deri afër brigjeve të qytetit, për të ndaluar trafikun klandestin, ndërkohë që patrullimi i këtyre motovedetave vetëm disa metra larg brigjeve, do të shoqërohej me incidente të shumta, me poseduesit e mjeteve lundruese.

Në fillimin e marsit të vitit 1998, në qytetin e Vlorës, do të hapet zyra e OSBE, në ceremoninë e së cilës ishte prezent ambasadori i OSBE në Tiranë, Dan Everts, ndërkohë që përgjegjësi i kësaj zyre për Vlorën, do të ishte Aldo Tenishi.
Atë ditë të hapjes së zyrës, Everts do të deklaronte ndër të tjera se “OSBE do të qëndrojë në Vlorë, përsa kohë Vlora të ketë nevojë”

Në prill të vitit 1998, do të fillonte shpërndarja e lekëve që ishin gjendur në momentin e falimentimit të firmës piramidale “Xhaferri”

Të dielën e 26 prillit 1998, ora 10, do të zhvillonte punimet Konferenca e 4 e Forumit të gruas së PD Vlorë, me tematikë :
Kjo do të shënonte dhe një nga aktivitet e para publike të PD, në Vlorë.

Në një ditë të muajit maj, në Vlorë do të zhvillonte takimin e parë kryeadministratori i fajdeve, Farudin Arapi, i cili do të zhvillonte një takim në pallat të kulturës me kreditorë të firmave piramidale.

Një miting i PD në sheshin e Flamurit, tre ditë përpara ditës së votimit, në datën 18 qershor, do të zhvillohej paralelisht dhe një antimiting disa metra larg që e zhvillonin njerëz që ishin kundër mitingut të PD, duke e fajësuar këtë parti si shkaktare të trazirave të vitit 1997.
Një ditë më vonë, në 19 qershor, edhe PS do të zhvillonte një miting në sheshin e Flamurit, ku zyrtari më i lartë në miting do të ishte Bashkim Fino, asaj kohe zëvendëskryeministër.
Në fjalën e rastit gjatë mitingut, Pandeli Majko, do të deklaronte ndër të tjera se “nëse do të humbasim në Vlorë, duhet të përgatitemi për humbjen e madhe, por nëse fitojmë, Berisha ka marrë përgjigjen përfundimtare”

Në 21 Qershor të vitit 1998, do të zhvilloheshin zgjedhjet lokale për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.
Ishin zgjedhjet e para në punën time si gazetar.
Nuk kisha as më të voglin informacion për mënyrën se si zhvilloheshin zgjedhjet, si zhvillohej fushata, cilat ishin rregullat që duheshin ndjekur apo që nuk duheshin shkelur.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vlorë, policia arreston 25 vjeçarin, i gjen pesë doza kokainë
Rrihet me doreza metalike djali që prangosi Kostandin Xhuvanin: Më kërcënoi se do më vriste »
Article Logic
Execution time: 0.0138258934021
array(1) { ["section"]=> string(71) "ditari-i-nje-gazetari-rrefej-vloren-e-shkurtit-1998-nga-tv-amantia-3917" }