Ditëlindja e ASDRENIT, studiuesi i muzikës shqiptare tregon si u krijua HIMNI KOMBËTAR dhe sqaron aludimet për plagjiaturë

Publikuar tek: kulture-art, më 19:20 11-04-2019 Ditëlindja e ASDRENIT, studiuesi i muzikës shqiptare tregon si u krijua HIMNI KOMBËTAR dhe sqaron aludimet për plagjiaturë

Nga Liarda Kondakçiu

Sot është ditëlindja e poetit, publicistit dhe patriotit shqiptar, Aleksandër Sravre Drenova, i njohur në letërsinë tonë me pseudonimin Asdreni.

Krijimtaria e tij i përket njëherësh dy periudhave duke treguar se poezia e tij u shkri që nga faza e fundit e Rilindjes deri në periudhën e Pavarësisë. Poeti pati një jetë të gjatë krijuese, rreth dyzet vjet.

Ndër të tjera Asdreni është edhe shkruesi i himnit kombëtar shqiptar në vitin 1912. Kjo ka bërë që një figurë e tillë mos të harrohet asnjëherë ndër breza. Por si u krijua ky himn dhe si u zgjodh per te qenë Himni Kombëtar?

Studiuesi dhe njohësi i muzikës Vasil Sofokli Tole, i cili ka shkruar dhe një libër studimor me titull ‘Himni Kombëtar’ tregon për Newsbomb.al se ndër të parët, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar historinë e lindjes së himnit tonë në punimin “Himni kombëtar Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij” .

‘Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi, se: ... me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”. Detaji i mësipërm evidenton faktin se  askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se kënga “Betimi mbi flamur”, e ngritur dhe e kënduar për të parën herë në vitin 1908, nga kori i shoqërisë shqiptare të Bukureshtit në ambjentet e kishës së tyre, do të bëhej edhe himni i ardhshëm i Shqipërisë. Dhe kjo është më se e vërtetë.  Kënga “Rreth flamurit të përbashkuar”, me nëntitullin kuptimplotë “Hymn patriotik”, u krijua nga fillimisht nga Asdreni për të qënë kryesisht si himni i shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit’, pohon Tole.

Mirëpo, himni shqiptar ka shkaktuar edhe shumë polemika jashtë trojeve shqiptare. Disa vite më parë një gazetë rumune publikoi një artikull sipas të cilit himni shqiptar, ishte himni i Rumanisë që u përdor për dy vite nga 1975-1977.

Studiuesi Tole shprehet në lidhje me këtë pretendim se Asdreni huazoi melodinë e Porumbescut 25 vjet pas vdekjes së kompozitorit dhe mbi të krijoi poezinë Rreth Flamurit të Përbashkuar.

 ‘“Contrafactumi” është praktika e marrjes së një kënge të caktuar për ta përshtatur atë si një krijim tjetër (duke zëvendësuar fjalët e vjetra me të reja), mbi melodinë e njëjtë. E thënë më thjesht “contrafactumi” është këndimi me fjalë të reja i një kënge të vjetër. Në rastin e melodisë së këngës “Betimi mi flamur” të Asdrenit, qëndron melodia e himnit të vjetër të Rumanisë “Pe al nostru steag”, të kompozuar nga Ciprian Porumbescu (1853-1883) me fjalë të Andrei Barseanu (1858-1922). Pra himni ynë është një “contrafactum” klasik pasi përdori melodinë e njohur të tij, në kontekstin e fjalëve dhe mesazhit të ri të Asdrenit. Pra, poezia e Asdrenit ju mbivendos melodisë së këngës së Porumbeskut, 25 vjet pas vdekjes së tij, gati-gati si në një proces krijimi gojor folklorik siç do të shohim më poshtë. Kësisoj, Porumbescu nuk ka marrë pjesë fizikisht në aktin e ngjizjes së Himnit tonë si autor i drejtpërdrejtë i tij. Përveç kësaj, njihet fakti si edhe në bazë të himnit të Porumbescut qëndron gjithashtu një nga meloditë më të njohura të rinisë austriake të gjysmës së dytë të shek. XIX-të. Kenga e Porumbescut nuk ka qene asnjehere HIMN I RUMANISË, ka qene vetem kenge patriotike. Nuk quhet plagjiature pasi ne e njohim Porumbescun per autorin e muzikes se saj’, tregon Tole.

Studiuesi e përmbyll këtë pretendim se Asdreni huazoi vetëm melodinë e Porumbescut dhe mbi të krijoi poezinë. Nga viti 1912 kjo këngë është himni kombëtar i yni.

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0064671039581299
array(1) { ["section"]=> string(128) "ditelindja-e-asdrenit-studiuesi-i-muzikes-shqiptare-tregon-si-u-krijua-himni-kombetar-dhe-sqaron-aludimet-per-plagjiature-160052" }