Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një “spektakël të pështirë” shfaqjen e presidentit Ilir Meta, bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe dhjetra të ftuarve në ditëlindjen e aktorit të humorit Bes Kallaku.
I pyetur se “si e shesh respektimin e masave anti-COVID nga kundërshtarët politikë”, Rama dha një përgjigje të ashpër por edhe të prerë, duke iu referuar lajmit të ditëlindjes që bëri bujë në mediat shqiptare dhe jo vetëm.
“Si të gjithë të tjerët kam parë atë që nuk do të doja ta shihja as unë dhe as të tjetër. Shembullin më skandaloz të shkeljes së ligjit nga Presidenti i Republikës, Zonja e Parë dhe nga e gjithë çeta e tyre. Është shumë e qartë që nuk mund të bëhen festa e dasma, aq më tepër ceremoni të dhimbshme mortore. Na shfaqen në një spektakël të pështirë të karshillëkut jo vetëm me ligjin, por edhe me vetë shëndetin e të tjerëve, në rast se nuk janë të interesuar për shëndetin e tyre. Më shumë se kaq s’kam parë ndonjë gjë të veçantë”, deklaroi Rama.