Diva

Publikuar tek: kulture-art, më 09:57 10-02-2020 Diva

Nga Flaka Surroi,

Dje na la Nexhmije Pagarusha.

Ka kohë që kishte hyrë në dekadën e nëntë të jetës. Jetë suksesesh, dështimesh, ngritjesh e rëniesh. Porse për dallim nga shumica, e përcjellë nga fama të cilën e kishte fituar me mundin vetjak dhe me dhuntitë e lindura: zërin e jashtëzakonshëm dhe veshin absolut.

Qëkur e mbërriti pikën kulmore të popullaritetit, u njoh si “Bilbili i Kosovës”. Me gjasë do të jetë përshkrimi më i bukur dhe më i thjeshtë i zërit të pastër e të timbrit më autentik që i magjepste adhuruesit e muzikës të të gjitha brezave. Ata që ende nuk e kanë shijuar kënaqësinë që sjell këndimi i saj, kanë humbur shumë. Ngase kështu do ta kuptonin se muzika e njëmendtë kultivohet me cilësi e tekste përmbajtjesore.

Nexhmije Pagarusha, për shumicën e adhuruesve të saj, Nexhi për koleget e saj të profesionit të moshës më të re, teta Nexhmije për fëmijët e lagjes sonë të përbashkët, u lind në Pagarushë të Malishevës më 1933. Qe e bija e një njeriu vizionar, që jetoi për të arsimuar breza e breza fëmijësh. Njeriu i cili theu paragjykimet, duke e nxjerrë të bijën nga fshati për ta shkolluar në gjimnaz, në Prishtinë. Qe njëri nga prindërit e rrallë të atyre brezave që inkurajoi të bijën që të merrej me muzikë.

* * *

Humbja e hershme e nënës i la gjurmë të pashlyeshme. Kishte qenë tri vjeçe kur kishte mbetur pa të, dhe i mori disa vjet për ta kuptuar se përse nëna nuk i kthehej më pranë. Megjithatë do ta kishte fatin e mirë që përkujdesjen për të ta merrte bashkëshortja e dytë e babait të saj. Nuk do ta shikonte kurrë si njerkë dhe përjetë do t’i mbeste falënderuese për kujdesin.

Tashmë me fëmijë më shumë, familja e Vesel Pagarushës do të dyndej për në Prishtinë, ku teta Nexhmije do ta vijonte mësimin në Gjimnazin e Prishtinës. Do të ishte nja dy apo tre vjet më e moshuar sesa shokët dhe shoqet e brezit dhe do ta përfundonte gjimnazin e ulët aty nga mosha 15-16 vjeçe. Familja varej nga rroga e babait, e cila shpesh as nuk do të mjaftonte për gjëra elementare.

Talentin për këndim do t’ia zbulonte shoqja Melihate Hasani, e cila disi me zor do ta çonte në Radio Prishtinë, që atëbotë ishte e vendosur në një ndërtesë bri “kuartit kinez”, rrugës për në Gërmi, ku gjithçka shkonte “live”. Teta Nexhmije do të thoshte se nuk e kishte as idenë se si tingëllonte çfarëdo qoftë në radio, meqë në shtëpinë e tyre nuk kishin aparat të tillë. Më në fund u bind që të këndonte, “me vesh”, pra pa nota dhe pa parapërgatitje, në përcjellje të orkestrës popullore të Radios.

Ylli tashmë kishte lindur. Porse përmasat e yllit nuk do të formësoheshin deri disa vjet më vonë, sidomos në vitin e parë pas rënies së Rankoviqit.

* * *

Do të shkonte në Beograd në audicion dhe do ta vijonte një vit të shkollës së muzikës atje. Do ta mësonte serbishten, të cilën do ta fliste rrjedhshëm, porse zor se do të gjendej ndonjë incizim ku dëgjohet të ketë kënduar në gjuhë tjetër pos shqipes. Do t’i mësonte edhe notat – tash e kishte më lehtë t’i lexonte veprat edhe të kompozitorëve kulmorë ndërkombëtarë. Madje do ta fitonte guximin që të interpretonte muzikën klasike, e cila për fatin e keq tonin, mbeti ngjarje e paregjistruar në shirit magnetofoni.

Babai do t’i vdiste në moshën 58 vjeçe, duke lënë pas vetes edhe katër djem të vegjël, për të cilët do të përkujdesej vetë teta Nexhmije. Tashmë ishte me fat se ishte punësuar në Radio Prishtinë si soliste. Soliste që priste çastin e shpërthimit dhe depërtimit në majat e muzikës popullore dhe bashkëkohore shqiptare.

Ngritja në piedestalin nga i cili megjithatë nuk zbriti kurrë erdhi krah Rexho Mulliqit, bashkëshortit të saj, i cili diti ta nxirrte më të mirën nga shpirti artistik i tetës Nexhmije. Për të aranzhoi këngë të vjetra popullore dhe i ekzekutoi me orkestër simfonike, instrumente folklorike dhe kor, në një kombinim rrëqethës të harkorëve klasikë, oboës dhe çiftelisë.

Tashmë e famshme për stilin e patejkalueshëm të të kënduarit, teta Nexhmije do ta zbulonte edhe talentin tjetër që kishte “fshehur” në vete: aktrimin. Do të niste me teatrin dhe do të vazhdonte me filmin, në realizime mbresëlënëse, sa për diksionin e saj të pastër, aq edhe për bukurinë e saj që kurrë nuk u shua.

Në kohën e ndryshimeve të mëdha politike, më 1968, Mulliqi do ta shkruante “Bareshën”, ku për muzë i shërbeu teta Nexhmije. Nën përcjelljen e orkestrës simfonike të Beogradit, do ta ekzekutonte këngën e saj më të famshme – të cilën askush, me gjithë përpjekjet, nuk doli ta këndonte aq fuqishëm e në formë aq karakteristike sa Nexhmije Pagarusha. “Baresha” u bë shenja e saj e identifikimit, edhe pse jo kënga e saj më e preferuar.

* * *

Tetën Nexhmije të fëmijërisë sime e mbaj mend si ndër gratë më të bukura të lagjes në të cilën u rrita. Kishte qejf të vishej mirë e të bartte taka, sado irrituese të ishin për këmbët që i lodheshin shpejt. Flokët përherë i kishte të rregulluar dhe atëbotë i kishte pasur flokët e zinj. Me kohën do të eksperimentonte me ngjyra, dhe në fund do të vendoste se ajo që i përshtatej më së miri ishte mahagonia, e kuqërremta, të cilën do ta bartte deri në ditët e fundit.

Komunikative, dinte edhe të tregonte barsoleta, por edhe të tallej në llogari të veten. E kishte një buzëqeshje rrezatuese, dhëmbët shumë të bukur dhe një zë shumë të këndshëm edhe kur fliste. Nëse do të mund të thuhej ashtu, i kishte hije edhe kur pinte duhan: ne fëmijët e shikonim si një yll filmi. E yjve të filmave u lejohej çdo gjë.

I kishte hije edhe kur e ngiste veturën – nga kjo distancë tash nuk kisha ditur të vlerësoja po qe se kishte qenë shofere e mirë apo jo. Me rëndësi që parkimin e veturës e bënte mirë dhe pa ndonjë problem të madh mund të udhëtonte me të edhe jashtë Prishtinës, me, atëherë, pak vetura.

Por, mbi të gjitha, i kishte hije kur me miqtë e mëhallës, që njëkohësisht i kishte edhe kolegë, ia kriste këngës e nuk imponohej, sado që zëri i saj padashur dallohej. Nuk e kishte dert nëse këndonte solo, apo e mbante tercën a kuintën. Me rëndësi ishte që të gjithë të ndienin kënaqësinë e momenteve të gëzimit e dëfrimit së bashku.

* * *

Herët do të tërhiqej nga muzika. Arsye ka pasur mbase shumë, e ne, publiku i saj, mbase nuk i kemi ditur t’i kuptojmë. E humbi bashkëshortin, e me të, me gjasë, edhe vullnetin për të vazhduar të këndonte. Preferoi të tërhiqej nga këndimi aktiv, por jo edhe nga muzika, me të cilën edhe iu shuan ditët. Do t’ia dedikonte një pjesë të madhe të jetës mbesës së saj Fletës dhe do të vazhdonte të mbante kontakte të afërta me miqtë e rinisë dhe atyre të mëvonshëm që e adhuronin për talentin dhe për qenien e saj.

Kosovën do ta linte të varfër pa zërin e saj dhe këngë që do të ketë mundur t’i interpretonte. Porse na la prapa mbi 150 këngë që i ka kënduar, e shumë prej të cilave fatmirësisht janë shpëtuar e digjitalizuar falë përpjekjeve të miqve të saj.

Megjithatë, nuk më hiqet bindja se vitet e fundit të jetës kanë mundur të ishin më të mira për tetën Nexhmije po ta kishte pasur përkujdesjen e shtetit. Nuk është se mbeti pa përkujdesje të familjes dhe miqve, porse më shumë do t’i ketë shkaktuar dhimbje injorimi që ia bëri kjo shoqëri: një artiste që ndër të parat i kaloi kufijtë e shtetit për ta përfaqësuar Kosovën me kulturë e muzikë, ka merituar më shumë sesa vetëm mirënjohje simbolike. Ky vend nuk ka prodhuar shumë artistë të kalibrit të saj, dhe ka mundur t’ia siguronte një jetë të dinjitetshme, për aq sa do të zgjaste.

* * *

E ka lënë amanet që kur të vinte dita, të varrosej pranë babait të saj. Falë babait u shkollua në kohën kur shumë pak vajza shqiptare shkolloheshin. Babai e mësoi se si duhej luftuar për mbijetesë dhe përparim. Fati nuk e deshi që ai ta gëzonte suksesin e saj. Nuk e mbërriti. Mbase edhe për këtë shkak teta Nexhmije kishte vendosur të prehej pranë tij.

Nexhmije Pagarusha ka qenë artistja më e madhe kosovare e shekullit XX.

Për krejt çfarë ka bërë gjatë karrierës, për krejt të bukurën dhe artin që e ka simbolizuar, për shembullin që shërbeu për emancipimin e gruas shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore dhe për vetë figurën e saj, në ditën e varrimit të saj do të duhej shpallur ditë zie.

Po për të njëjtat arsye, dhe për nga fakti që ka qenë sopranoja jonë e parë, Teatri i Operës dhe Baletit, nëse dikur do të ndërtohet, do të duhej ta bartte emrin e saj. Emrin e divës. Nexhmije Pagarusha.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.019029855728149
array(1) { ["section"]=> string(11) "diva-194656" }