Djali i Lefter Çipës i shkruan Albin Kurtit pas homazhit që i bëri të atit: Vlerësimi juaj është një çmim i madh që vjen nga Kosova jonë

Publikuar tek: aktualitet, më 19:02 22-02-2021 Djali i Lefter Çipës i shkruan Albin Kurtit pas homazhit që i bëri të atit: Vlerësimi juaj është një çmim i madh që vjen nga Kosova jonë Lefter Çipa me djalin, Ardian Çipa

Djali i Princit të Polifonisë shqiptare Lefter Çipa, Ardian Çipa, i ka shkruajtur një letër të hapur kryeministrit në ardhje të Kosovës, z.Albin Kurti, pas vlerësimit që ky i fundit i bëri publikisht poetit tonë të madh.

Kurti e cilësoi si “të madh e të paharrueshëm” Lefter Çipën, si një vlerë të shtuar të kulturës shqiptare.

Djali i tij i vogël Ardian Çipa ka falenderuar po publikisht Kurtin, duke i kujtuar dashurinë e madhe që kishte babai i tij për Kosovën, e duke i uruar atij suksese në postin e ri.

Letra e Ardian Çipës për Albin Kurtin

I dashur Albin, i nderuar Zoti Kryeministër i Kosovës sonë,

Më lejoni që në emër të familjes së Lefter Çipës, si biri i vogël i tij, t’ju shpreh falënderimet e përzemërta për homazhin dhe vlerësimin që i bëni At-it tonë në këto ditë të përcjelljes së tij në jetën tjetër.

Homazhi juaj dhe vlerësimi publik, janë një çmim i madh që vjen nga Kosova jonë, nga ai vis arbëror të cilin Ati ynë e kishte “Thelb” të zemrës. Në dhjetra poezi dhe këngë por, veçanërisht në dy prej librave të tij të rëndësishëm: “Për Kosovën prapë do ngrihem” dhe “Këngët e Ruzanës”, Ati ynë e pati të plotë pathosin dhe frymën e një kohe të mbarë kombëtare për aspiratën gjithëshqiptare. Në fundvitet ’80-të dhe në fillim të viteve ’90-të, në një nga këngët e veta të interpretuar me aq mjeshtëri artistike nga grupi i famshëm i polifonisë shqiptare, Grupi i Pilurit, autori shkroi dhe këndoi :

”Ja koha ka ardhë,

koha arbërore,

vjen një re e bardhë,

një dëshirë Kosove!”….dhe disa dekada më herët kishte bërë të shumëdëshirueshëm distikun e vet:

”Shqipëtarët gjithë sa janë,

një djep e një Nënë kanë”.

Zoti Kryeministër,

Falënderimi ynë i përzemërt familjar, për ngushëllimin e humbjes së Atit tonë Lefter, nuk mund të ndahet nga falënderimi për homazhin e përbashkët që bëni për një bard tjetër arbëresh, Zef Kakoca. Në këtë përkim sillet vetvetiu në kujtesë dhe ndër mendje lidhja në AND-në qindra vjeçare dhe raporti mes arbëreshëve me visin tonë, Himarën dhe Labërinë. Për këtë arsye, forca që marrim prej mesazhit tuaj në dhimbjen tonë është e dyfishtë.

Faleminderit!

Me dëshirën dhe urimet për mbarësi dhe sukses të përhershëm për Ju personalisht dhe përhershmërisht për Kosovën tonë!

Me zemër, Ardian Lefter Çipa

Fjalët e Kurtit për Lefter Çipën

Lefter Çipa, ky autor i mijëra këngëve e poezive, që mes shumë çmimeve të tjera mbante dhe çmimin “Nder i Kombit” prej Republikës së Shqipërisë, ka folur e do t’u flasë edhe brezave të ardhshëm me gojën e polifonisë së Bregut, ku Piluri i tij rri si rrufepritës para detit të stuhishëm apo si verandë soditëse para detit dashuror. Gjatë fushatës teksa udhëtonim nëpër aktivitete, dëgjova dy aktivistë që po këndonin si nëpër dhëmbë e me zë të ulët këngën “Tundu bejkë”. Sigurisht ata nuk e dinin se ajo këngë, që njihet si popullore, është me tekst të Lefter Çipës. Por s’ka dert, me rëndësi është se edhe rinia e Kosovës po i mëson e i mban gjallë ato këngë të polifonisë himariote. Ky është shpërblimi për Lefter Çipën e paharrueshëm i cili shkruante: “Më besoni, për Kosovën / Dhe të vritem do të ngjallem”.

I paharruar qoftë Lefter Çipa i Pilurit e i gjithë shqiptarëve.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Jeni përdorues të ‘Whatsapp’? Aplikacioni ka një thirrje ‘kërcënuese’ për ju: Nëse nuk pranoni kushtet tona të reja pas 15 majit, atëherë...
»
Article Logic
Execution time: 0.012396097183228
array(1) { ["section"]=> string(142) "djali-i-lefter-cipes-i-shkruan-albin-kurtit-pas-homazhit-qe-i-beri-te-atit-vleresimi-juaj-eshte-nje-cmim-i-madh-qe-vjen-nga-kosova-jone-239818" }