Pas reagimeve në rrjetet sociale lidhur me foton e djalit të deputetit Pandeli Majko, Gjergji Majo i cili përshëndeste me dy gishtat lart protestën e PD-së, pedagogia Nevila Xhindi ka fshirë foton nga rrjetet sociale.
Pedagogia sqaron se u detyrua ta ndërmarrë këtë veprim, pasi komentet dhe reagimet që pasuan pas hedhjes së fotos në rrjet i tejkaluan përmasat, duke u kthyer në presion partiak që rëndonin mbi studentin e saj.
“Është një foto miqësore si rrjedhojë e bisedës me studentët e mi për protestën dhe demokracinë. Ishte finalja e një bisede që ne bëmë. Fotoja ishte krejtësisht miqësore, e bëri Gjergji, nuk ishte për humor. Më vjen mirë që po rritet një brez që mendon më hapur se prindërit e tyre.
Ajo që më çuditi ishte reagimi i prindërve të Gjergjit, mendoj se kanë dëmtuar djalin e tyre. Ai është një student i shkëlqyer, i hapur. Unë për kortezi, pas presionit të komenteve jo dashamirës e hoqa. E ndjeva presionin që i bëhej Gjergjit, por nuk ishte një kërkesë e tij” ka thënë Xhindi për ‘News24’. Pas publikimit të fotos reagoi ashpër edhe vetë deputeti Pandeli Majko i cili tha se do të mbante përgjegjësi para socialistëve pë foton e djalit të tij.