Kreu i Këshillit të Emërimeve në Dretjësi Ardian Dvorani u përgjigj pas deklaratës së presidentit Ilir Meta se do ta padisë për shpërdorim detyre ditën e hënë.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Dvorani pranon të përballet ligjërisht me kreun e shtetit.
Dvorani u akuzua nga Meta se ka deformuar proçesin e përzgjedhjes së kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese duke i dërguar me vonë listën me 4 kandidatë për vakancën e dytë në Gjykatën Kushtetuese.
Deklarata e Dvoranit pasi presidenti pranoi se do ta kallëzonte penalisht:
Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje.
Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.
Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.
Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës.
Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi.