"Do tërheqë mijëra turistë", alibia që po përdoret me dorë të rëndë për projektet e betonit

Publikuar tek: aktualitet, më 11:29 25-04-2016

Ardian Vehbiu vjen me një analizë koment lidhur me atë që ai e quan “alibi” e përdorur “me dorë të rëndë”. “Beton për turistë” shkruan Vehbiu duke iu referuar projekteve që sipas tij “po ndjekin një skenar të gatshëm. “Prezantohen disa vizatime arkitektonike me ngjyra të ndonjë italiani, i shtohet këtij projekti epiteti “madhor” dhe pastaj shpenzimet shpesh marramendëse përligjen me argumentin se “do të nxitet turizmi.”.

Komenti i plotë i Vehbiut në “Peizazhe të fjalës”.

Duket sikur këto punë ndjekin një skenar të gatshëm: prezantohen disa vizatime arkitektonike me ngjyra të ndonjë italiani, i shtohet këtij projekti epiteti “madhor” dhe pastaj shpenzimet shpesh marramendëse përligjen me argumentin se “do të nxitet turizmi.”

Puntata më e fundit u shfaq këto ditë në Durrës, me projektin “Veliera”(kështu mësojnë njerëzit edhe italishten që e kanë harruar): krybashkiaku i qytetit, Vangjush Dako, u shpreh se “projektiVelierado të tërheqë mijëra turistë, pasi do të jetë një objekt origjinal e i vizitueshëm, që do t’i japë Durrësit një imazh të vërtetë të një projekti turistik.”

Nuk jam në gjendje të gjykoj projektin vetë, edhe pse betoni buzë detit nuk premton asgjë të mirë. Por vetvetiu e refuzoj argumentin në mbështetje të projektit, se ky “do të tërheqë mijëra turistë” dhe aq më pak ngacmohem nga ky “imazhi i vërtetë i një projekti turistik”, sepse më vjen në mendje Cancún-i.

Flasim këtu për Durrësin: një qytet të madh, port të rëndësishëm të Shqipërisë dhe të Adriatikut, nyje transporti mallrash dhe udhëtarësh; përveçse vendi ku banojnë qindra mijëra qytetarë.

Projekte të tilla, që prekin përditshmërinë e tyre, duhet të synojnë para së gjithash përmirësimin e cilësisë së të jetuarit.

Turistët afrohen, në qoftë se në qytet jetohet mirë.

Përndryshe, vizitorët do të tundohen dhe të vijnë për të parë nga afër edhe një balenë të ngordhur që ka nxjerrë deti.

Dua të them se kjo alibi e turizmit po përdoret pak si me dorë të rëndë, për të përligjur gjithfarë investimesh që mund të jenë edhe të dyshimta, ose t’u shërbejnë interesave private më shumë se atyre publike.

Nuk ka asnjë garanci se një ndërtim prej betoni do të tërheqë doemos turistët, ose fundja edhe vetë qytetarët.

Se çfarë i bën njerëzit të vijnë për të kaluar kohë diku, kjo lidhet me shumë faktorë, socialë dhe kulturorë; mes të cilëve arkitektura e bukur është vetëm njëri dhe ndoshta jo më i rëndësishmi.

Sjell për krahasim një projekt të ngjashëm në NYC, të ashtuquajturinHigh Line Park,i cili u ndërtua mbi një linjë hekurudhore të braktisur, në anën perëndimore të Manhattan-it.

Me sa kam parë dhe kuptuar, aty nuk u derdh beton, por vetëm u ndërhy me kujdes, delikatesë dhe shije të hollë, për të rehabilituar një gërdallë ekzistuese që veç e shëmtonte qytetin.

Turistët tani janë derdhur ta vizitojnë, në dimër e në verë, dhe të shëtisin mes gjelbërimit, veprave të artit dhe ndërtesave që ngrihen nga të dy anët, edhe ngaqëHigh Line Parke ka gjallëruar, madje e ka rishkruar krejt kontekstin e vet urban.

Por të parët që e shijuan këtë shtesë të mirëpritur, në menynë urbane të Manhattan-it, ishin vetë banorët e metropolit dhe të rrethinave.

Edhe në Shqipëri janë të panumërta karkasat e zbrazëta, ngrehinat, karabinatë dhe mbetjet e periudhës industriale, të cilat sot vazhdojnë të akumulojnë entropi. Në vend që të ngulmohet për katedrale betoni, kremtuese të egos së arkitektëve dhe të ndërtuesve dhe krejt pa lidhje me kontekstin social dhe urban, ndoshta do të ishte më mirë të ndiqej me përparësi një estetikë rehabilitimi, madje edhe nga arkitektët dhe studiot mysafire.

Përkundrazi, preteksti i turizmit, që sillet, madje ndonjëherë me arrogancë, për të përligjur gjithfarë vanitetesh, në mos abuzimesh me fondet dhe marifete të tjera, nuk duhet besuar më.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025665044784546
array(1) { ["section"]=> string(94) "do-terheqe-mijera-turiste-alibia-qe-po-perdoret-me-dore-te-rende-per-projektet-e-betonit-38607" }