“Dorëzo armën po ke, po jo çadrën”…Batutat e Saimir Tahirit me banorët e Lunxhërisë, nga gotat e rakisë te deklaratat për mbështetjen e policisë

Publikuar tek: aktualitet, më 11:09 05-02-2017 “Dorëzo armën po ke, po jo çadrën”…Batutat e Saimir Tahirit me banorët e Lunxhërisë, nga gotat e rakisë te deklaratat për mbështetjen e policisë Ministri Saimir Tahiri e drejtori i Pergjithshem Haki Cako me studente e police te Qarkut te Gjirokastres dje ne fshatin Dhoksat te Lunxherise

Thanas Binjakut, 64 vjecarit që hapi portën e madhe dykanatëshe, në një shtëpi që si cdo shtëpi tjetër e fshatit Dhoksat të Lunxhërisë, nuk ia priste mendja që pas dere, pas trokitjes në portë, do të shfaqej figura e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. 

Me mëdyshjen dhe surprizën disi të beftë, hapi portën e në dorë mbante një çadër. U hutua pak.

“Si je?” e pyet ministri duke i zgjatur dorën, e Thanasi, i surprizuar nga vizita e një taborri njerëzish, ku kishte studentë e policë që i printe ministri i brendshëm e drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Cako, njërën dorë donte tia zgjaste ministrit e me tjetrën të mbyllte cadrën që e kishte hapur nga një vesë shiu që kishte filluar të binte shtruar shtruar.

“Kemi ardhur me studentët e Universitetit të Gjirokastrës në kuadrin e një fushate që kemi filluar në gjithë vendin për dorëzimin e armëve në mënyrë vullnetare” I thotë ministri pa ia lëshuar dorën e duke e pyetur për shëndetin e familjen.

“Po unë s’kam armë në shtëpi” thotë Thanasi që u gjend në befasi nga kjo trokitje në portë, dhe disi I frikësuar se c’po ndodhte.

“Detyra jonë, është që të ndërgjegjësojmë sa më shumë njerëz. Unë ju falenderoj që nuk keni armë dhe nuk keni mbajtur armë në shtëpinë tuaj. Por sa më shumë të ndërgjegjësojmë që dhe ti të flasësh me të tjerët dhe kështu të gjithë bashkë të kemi mundësinë për të vendosur rendin dhe rregullin. Dhe të tregojmë se shteti është i fortë”.

“Ejani brenda, t’u japim nga një gliko” thotë Thanasi pa ia lëshuar dorën ministrit.

Do të donte të hynte brenda Saimir Tahiri, por axhenda ia donte që në fshatin Dhoksat, të Lunxhërisë, të mund të trokiste në cdo derë, e të takonte banorët.

E kështu, shpura e zyrtarëve dhe policëve, pasi folën 10 minuta me të i japin përshëndetjet e fundit.

“Armë nuk ke, por mos e dorëzo cadrën” thotë Tahiri një batutë mes të qeshurash e Thanasi që i kthehet se s’ka si ta dorëzojë çadrën në këtë ditë shiu duke i përcjellë për të shkuar diku më tutje.

saje8

Porta e radhës është me ngjyrë jeshile. Të bëjnë përshtypje në fakt këto dyer të mëdha, që sic tregon më pas i zoti i shtëpisë Esat Alikaj dhe bashkëshortja e tij mësuese Mirela, datojnë në vitet 1800, dhe sipas stilit turk, edhe pse fshati është buzë kufirit me Greqinë.

Origjinën e hershme Esati e ka nga Kuci dhe tregon se janë vendosur vite më parë aty e praktikisht janë autoktonë.

“Më duket se keni ardhur në fshatin e gabuar. Ky është një fshat i qetë. Këtu e kemi bërë paqen që në kohën e Turqisë” tregon mesoburri shtatlartë që e fton brenda ministrin Tahiri për një gotë raki.

saje5

“Ne nuk kemi ardhur për të gjetur armët, por për të folur për qytetarët ti dorëzojnë ato. Të gjithë bashkë mund të ndihmojmë. Që nga 1997 kanë mbetur akoma njerëz që I mbajnë nëpër shtëpi, dhe sic ka treguar historia e këtyre viteve, sherri më i vogël mund të kthehet në tragjedi. Ndaj të gjithë bashkë të flasim e të tregojmë se këtë fushatë duke trokitur derë më derë nuk e kemi bërë kot” flet Saimir Tahiri.

Bashkëshortja e Esatit, nuk ia heq dorën ministrit. Ulur në divanët e katit të parë të shtëpisë dykatëshe e falenderon Tahirin që erdhi i vizitoi, i pa dhe i pyeti se cfarë nevojash kanë.

Jani Cobi, e ka shtëpinë e tij dykatëshe nja 100 metra më lart. Jeton vetëm me gruan, se fëmijët, dy djem, kanë kohë që kanë ikur nga Dhoksati.

“Më parë, para demokracisë, kanë qenë diku te 120 familje në fshatin tonë. Tani kemi mbetur diku te 40 familje. Jemi të qetë. Nuk mbajmë armë nëpër shtëpia. Të pakten dhe sic dëgjojmë e flasim me njëri tjetrin. Në kohën e monizmit ka qenë fermë. Sot jetojmë me pensionet që marrim. Unë kam dhe ca bagëti, me ato jetoj. Por nga fshati nuk dua të iki” thotë Jani pasi të shtron një gotë raki e një gliko ftoi që e ka bërë e zonja e shtëpisë e të shkrin në gojë.

saje2

“Ne duhet të hyjmë derë më derë. Nuk duhet të ndalim fushatën që kemi nisur për të ndërgjegjësuar njerëzit. Eshtë shumë e rëndësishme që në cdo vend, nga zona më e largët e deri në qytetet kryesore të ndërgjegjësohemi që shteti e ligji janë të fortë. Kështu ruajmë veten, familjet dhe tregojmë me përgjegjësi qytetare vlerat tona” sqaron Saimiri që nuk pranon as cadër ndërkohë që shiu është shpeshtuar.

Nga njëra derë në tjetrën mbërrihet në shtëpinë e radhës, ku 70 vjecari thërret djalin e tij dhe i thotë të sjellë armën që kanë në shtëpi.

“Të falenderoj, thotë ministri Tahiri, që dorëzove armën. Do ta marrin në dorëzim forcat e rendit”. Djali i tij i madh e sjell në guzhinë, aty ku është ulur ministri me të zotin e shtëpisë dhe ia vendos te këmbët.

saje1

“Unë në radhë të parë të falenderoj që na erdhe në shtëpi. Jo se nuk do ta dorëzoja armën. E kam parë fushatën në televizor. Gjë e mirë shumë. As ne nuk kemi ci duam” thotë 70 vjecari.

Kur e pyesim se kur e ka marrë këtë armë, të përmend vitin 1997. “Po ja ta kishim në shtëpi” thotë plaku.

Studentët e Universitetit në Gjirokastër janë më aktivët. Trokasin në cdo derë e shpërndajnë fletëpalosje. Janë ato të fushatës për dorëzimin e armëve.

Në krak të ministrit Tahiri, është Anastas Kaci, administrator i LSI-së për Lunxhërinë. Nuk mungojnë batutat, kur ministri i thotë të qendrojnë bashkë.

“Ti nuk e ke problem apo jo Anastas”, thotë Tahiri, - “bashkë duhet të jemi në këtë fushatë për dorëzimin e armëve”.

Dhe kur flet para mikrofonit të mediave, gazetarët e pyesin për deklaratat e Vangjel Tavos, për punën e policisë së shtetit. “Sikurse e shihni, unë e policia, por edhe administrator juaj është këtu. Të gjithë bashkë për këtë kauzë të madhe të dorëzimit të armëve. Ftoj edhe Vangjelin dhe këdo tjetër, dhe besoj se jemi bashkë që të arrijmë synimin që kemi. Të jemi në krah të policisë dhe të njerëzve” thotë Tahiri, ndërkohë që Anastasi e mbështet duke tundur kokën ndërsa Tahiri flet përpara kamerave.

saje6

Për dy orë, në fshatin Dhoksat, edhe banorët e mbetur kaluan një ditë ndryshe. Nga njëra shtëpi në tjetrën, lajmi se Saimir Tahiri kishte mbërritur në fshat u përhap shumë shpejt, dhe burrat nxituan të dalin nga shtëpiat drejt qendrës së fshatit. 

Kanë ca kërkesa të tjera, duan rrugën, ujin, e për dritat nuk ankohen.  Thonë se nuk I duan politikanët vetëm për fushata zgjedhjesh. Por shumë politikanë nuk u kanë shkuar. Më parë, shkonte ndonjëherë Genc Ruli. Tahiri ishte ndër të parët ministra që kishin shkelur në fshat. Dikush e falenderon, dikush tjetër e përqafon, në ca shtëpi të tjera e tërheqin për ta futur mikun deri në sallon për ti dhënë një gotë raki e të bisedojë shtruar.

Këtë fundjavë, edhe fshati zjen me diskutimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh. Janë me sy e veshe nga televizori për të dëgjuar se c’thuhet e c’flitet. Madje të tregojnë edhe më shumë sesa mund të kesh pasur ti vetë kontakt me informacionin.

Janë njerëz të qetë, dhe duan pak gjëra, ku më kryesorja është rruga. Flamur Bime, prefekti që shoqëron ministrin, e merr përsipër që këtë shqetësim ta përcjellë deri lart në qeveri, pse jo ta mbaj edhe shënim.

“Këta njerëz të urtë e të mirë e meritojnë” thotë Saimir Tahiri që e mbyll vizitën me një foto të përbashkët me studentët e Universitetit të Gjirokastrës dhe policët që do ta vazhdojnë fushatën derë më derë për të bindur popullatën për dorëzimin e armëve. /NEWSBOMB.AL

saje3

saje9

saje7

saje

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Sherr mes të rinjsh, 24-vjeçari kanos me armë bashkëmoshatarin (Emri)
Flet djali i 55-vjeçarit që u mbyt në Mirditë: Babai qëndroi 2 orë i kapur pas një peme »
Article Logic
Execution time: 0.014252185821533
array(1) { ["section"]=> string(146) "dorezo-armen-po-ke-po-jo-cadren-batutat-e-saimir-tahirit-me-banoret-e-lunxherise-nga-gotat-e-rakise-te-deklaratat-per-mbeshtetjen-e-policise-67781" }