Policia Rrugore është angazhuar në të gjitha akset rrugore për të parandaluar aksidentet dhe për t'ju ardhur në ndihmë drejtuesëve të automjeteve në nevojë.
Burime të policisë bëjnë me dije se gjatë kontrollit dhe këshillimit të drejtuesëve të automjeteve për të mos qarkulluar pa zinxhir është konstatuar një drejtues mjeti i cili drejtonte automjetin pa zinxhirë por edhe në gjendje të dehur.
Menjëherë pas konstatimit është vënë në pranga drejtuesi i mjetit Gani Sula, 27 vjeç, banues në fshatin Trenë-Dibër.
Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas në qytetin e Peshkopisë gjatë kontrollit nga Policia për vendosjen e zinxhirëve të automjetit është konstatuar pa zinxhirë dhe duke drejtuar automjetin tip "Golf", nën efektin e alkoolit.
Pasi i është bërë testi i alkoolit me "Drager", rezultoi se përqindja e alkoolit ishte 0.77 mg/l.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale "Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt".