Artan Cuku, i njohur në Vlorë si “Drejtori i Hekurt” dhe i pari që la numrin e tij në institucione pa patur frikë nga kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit, u ekzekutua ditën e djeshme me 4 plumba në ashensor në lagjen Dinamo, pranë “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë.
Artan Cuku ka mbajtur poste te rëndësishme ne Policinë e Shtetit ne një karriere 16 vjeçare. Por është liruar nga policia në qershor të vitit 2013 me urdhër te Artan Didit dhe me motivacion: “Për shkurtim funksioni organik dhe pamundësi emërimi në një vend tjetër”, raporton newsbomb.al.
Cuku ishte i pranishëm gati në çdo operacion dhe ka qenë në krye të arrestimeve të bujshme. Një nga operacionet delikate ku ka asistuar vetë ish-drejtori mund të përmendim atë në gjirin e Kokomesë ku u sekuestruan 500 kile drogë dhe pati edhe përplasje me armë mes Policisë së Shtetit dhe një policie private.
Një tjetër rast tejet delikat dhe me rrezikshmëri të lartë ishte shkatërrimi i një bande që merrej me grabitje kazinosh në aksin Vlorë-Fier dhe në kapjen e njërit prej krerëve të bandës në Fier, Cuku ka marrë pjesë personalisht, shkruan newsbomb.al.
Sakaq, një ngjarje e bujshme, që përmendet gjithmonë edhe nga vetë vlonjatët është çështja kundër kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, hetimi ndaj të cilit ka nisur pikërisht me firmën e Artan Cukut./ Newsbomb.al