Pas lajmit të publikuar sot në media se në Burgun e drenovës u gjetën të fshehura 12 gram drogë e dyshuar heroinë, çka çoi në pezullimin e 7 punonjësve dhe drejtorit të burgut, ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Njoftimi:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pas lajmit të publikuar sot në media rreth një sasie lënde narkotike të kapur në oborrin e IEVP Drenovë ju bën me dije se:
E vërteta e sasisë së kapur qëndron krejt ndryshe. Pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në bashkpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brëndshëm të Burgjeve, rreth orës 12 pas mesnatës së djeshme kanë ndërmarrë nje operacion blitz pranë kësaj IEVP. Nga kontrolli është konstatuar një sasi prej rreth 10-12 gram lënde narkotike e dyshuar heroinë e fshehur në tualetin e dhomës së takimeve me familjarët.
Menjëherë pas konstatimit të lëndës narkotike janë kryer veprimet e para proceduariale si dhe është njoftuar policia e Korçës si dhe prokuroria e rrethit.
Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u mor në mënyrë të menjëhershme masa e pezullimit të shefit të Policisë së IEVP Drenove si dhe e disa punonjësve të tjerë të policisë.
Ndërkohë vijojnë hetimet nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për rastin në fjalë si dhe për nxjerrjen e përgjegjësive.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke falenderuar mediat për pasqyrimin e rastit, ju bën me dije se është në interesin dypalësh pasqyrimi i versionit zyrtar të vërtetë dhe jo i teorive të pavërteta.