Dy rrugët e autobusit në Republikën e pakicës

Publikuar tek: analiza-komente, më 18:06 05-02-2015 Dy rrugët e autobusit në Republikën e pakicës

1. Shkaku i varfërisë nuk gjendet te historia e popullit tonë, kultura e shoqërisë sonë apo natyra e vendit tonë. Qeverisjet neoliberale të pasluftës të orientuara në privatizim dhe asfalt po e bëjnë vendin tonë të pajetueshëm. Fundamentalistët e tregut të lirë e abortuan prodhimin vendor kurse bankat në Kosovë janë fajde me letra. Paratë e fondit të privatizimit, të fondit pensional si dhe depozitat bankare të bankave komerciale janë investuar jashtë vendit. Ekzodi i parasë patjetër që përcillet me ekzodin e njerëzve. Asfalti nuk hahet: 45% të varfër dhe 18% në varfëri të thellë nuk i kanë hall gropat nëpër rrugë, por ato në stomak. Modeli socialdemokrat, shteti zhvillimor i orientuar në prodhim dhe industrializimi i vendit janë zgjidhja. Pa fabrika nuk ka as ekonomi e as shoqëri.

2.Njerëzit e kanë humbur besimin në institucione e mandej edhe shpresën për ardhmëri më të mirë në Kosovë. Në vitet 2006 e 2007 nisi t’i dalë boja çlirimit, por mandej u shpall pavarësia. Tash që po i del boja pavarësisë nuk ka kurrfarë kompensimi. Korrupsioni e sidomos nepotizmi dhe krimi i organizuar përherë i pandëshkuar ua kanë errësuar perspektivën posaçërisht të varfërve dhe klasës së mesme. Arsimi u bë diplomë pa dije, shëndetësia spital për të vdekur, ndërkaq papunësia po rritet si sasi, si kohëzgjatje dhe si pabarazi: një pakicë mban nga disa vende pune kurse shumica dërrmuese nuk e ka asnjë të tillë.

3.Vëmendja institucionale dhe mediatike është shumë më tepër e përqendruar te çështjet si Gjykata Speciale për krimet e UÇK-së, ekstremizmi fetar, nevoja për dialog me Serbinë sesa te zhvillimi ekonomik i munguar dhe mjerimi social gjithandej i pranishëm. Qeveria është compradore ndërsa përfaqësimi institucional e mediatik është elitist. Shumë tregtarë importesh u bënë politikanë, edhe më shumë politikanë u bënë tregtarë importesh. Të pasurit shfaqen shpesh në televizor si individë dhe si personalitete. Të varfërit shfaqen rrallë në televizor si turma ose si numra statistikash.

4.Ikja e shqiptarëve të pakënaqur i leverdis edhe Qeverisë së Kosovës edhe Qeverisë së Serbisë ashtu sikurse edhe mafiozëve të ndryshëm që kontrabandës me naftë, cigare, drogë e barna po ia shtojnë edhe trafikimin me njerëz. Megjithatë ky emigrim që po merr përmasa të ekzodit nuk do të ishte i mundur pa korporatat në Evropën perëndimore që kanë nevojë për fuqi të lirë punëtore së cilës nuk i paguajnë sigurim social, shëndetësor e pensional. Për më tepër, qeveritë e djathta perëndimore, si zakonisht, u mundësojnë korporatave që t’i përdorin emigrantët shqiptarë që punojnë në të zezë si armë sulmi kundër sindikatave vendëse atje.

5.Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës ka shpresuar sinqerisht në një qeveri të VLAN-it që përbënte shumicën parlamentare. Tradhtia e Isa Mustafës që e braktisi marrëveshjen e 10 shtatorit 2014 për kurs të ri të shtetit duke përfunduar te marrëveshja e Rashkës së 9 dhjetorit 2014 me Thaçin dhe Jabllanoviqin i ka zhgënjyer pamasë qytetarët. Kur kësaj iu shtuan vota e Isa Mustafës për Kadri Veselin për kryeparlamentar, programi qeveritar pa shifra për dallim nga fushata elektorale me premtimet për 200.000 përkatësisht 120.000 vende të reja pune, e deri te buxheti 2015 i kopjuar nga viti paraprak, gjithçka u bë e padurueshme. Energjia e VLAN-it është edhe më tej në popull dhe kjo energji pashmangshëm po bëhet fuqi që i ka dy rrugë të ndryshme dhe të njëjtin mjet transporti: autobusat për te kufiri në Merdar apo autobusat për në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Mirupafshin në shesh – për Trepçën, për shokët tanë në burg dhe për gjithçka që nevojitet për ta bërë Kosovën Republikë të shumicës.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.031195163726807
array(1) { ["section"]=> string(50) "dy-rruget-e-autobusit-ne-republiken-e-pakices-2447" }