Biznesmeni Andon Dhima reagon pas kapjes nga Policia të katër personave të përfshirë në atentatin e dështuara ndaj tij pak ditë më parë. Dhima falenderon Policinë dhe Prokurorinë që zbardhën ngjarjen dhe thotë se tashmë institucionet e tjera duhet t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje.
“Te dashur miq, sot ne megjes nga edicionet e lajmeve mesova kapjen e 4 personave te dyshuar si autore te atentatit te deshtuar ndaj meje. Pershendes policine e shtetit per veprimet e shpejta dhe zbardhjen e ngjarjes, ne menyre te vecante efektivat e komisariatit nr. 2 dhe prokuroren e ceshtjes. Inkurajoj institucionet ligjzbatuese ti shkojne deri ne fund tentakulave te krimit dhe mos ndalen perpara asnje presioni apo shantazhi te drejtuesve te caktuar mediatike te lidhur me krimin”, shkruan ndër të tjera biznesmeni.
Ditën e ngjarjes, pasi nxori pamjet e kamerave të pallatit ku banonte dhe ku dukeshin qartë personat që donin ta ekzekutonin, Andon Dhima tha se nuk kishte konflikte me askënd përveç se me ish-deputetin Ben Blushi dhe dyshonte pikërisht te ai.
“Nje falenderim per mediat qe besuan te verteten dhe ata qe e fshehen ate dhe gjeten dhe alibi se atentat te deshtuar nuk kishte. Une i qendroj te gjitha deklarimeve te meparshme ne lidhje me kete ngjarje dhe pres zbardhjen e plote dhe zbulimin e urdheruesit. Me respekt Andon Dhima”, vijon ai.
Grid Leno dhe Altin Hoxha janë dy personat e arrestuar nga Policia e Tiranës, si autor të dyshuar të atentatit ndaj biznesmenit Andon Dhima, atentat i cili fatmirësisht nuk arriti të finalizohej. Në pranga kanë rënë dhe dy bashkëpunëtorët e tyre, Maringlen Matohiti dhe Enea Hoxha.
Dy personat e mësipërm e ndoqën Dhimën teksa ai futej në pallatin e tij në rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe menjëherë në hollin e tij nxorën armët nga brezi. Por fatmirësisht, dera e ashensorit me të cilin biznesmeni po ngjitej në shtëpinë e tij u mbyll shpejt dhe atentati dështoi.
Lexo edhe: Ja kush janë autorët që tentuan të ekzekutonin biznesmenin Andon Dhima