“E liruan 28 ditë pas arrestimit”, Artan Hoxha: Ja kush është bosi shqiptar i drogës i lidhur me Cosa Nostra

Publikuar tek: aktualitet, më 17:59 29-07-2017 “E liruan 28 ditë pas arrestimit”, Artan Hoxha: Ja kush është bosi shqiptar i drogës i lidhur me Cosa Nostra

Gazetari Artan Hoxha ka qenë i ftuar në studion e emisionit “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 për të folur për situatën e kultivimit të kanabisit në vend si dhe goditjen e grupeve kriminale.

Për Hoxhën, ndonëse policia ka deklaruar se ka goditur 60 grupe kriminale, nuk ka pasur arrestime ‘kokash’. Madje ai rrëfen një rast, kur dy muaj më parë u arrestua një bos i cili udhëtonte me makinë të blinduar dhe u la i lirë pas 28 ditësh.

Ky person sipas Hoxhës furnizonte me drogë Cosa Nostrën dhe Santa Corona Unita, dy grupet kriminale më të fuqishme në Itali. “Ne kemi rrjeta për cironka, nuk kemi rrjetë peshkaqenësh”, thotë Hoxha duke arsyetuar se e priste lirimin e këtij personazhi.

Policia e Shtetit deklaron se ka 60 grupe kriminale të goditura përgjatë 6 muajve të parë të vitit 2017. A mendoni se mes të arrestuarve janë edhe kapot e trafikut?

Duhet të kemi një gjë parasysh. Statistikat zyrtare dhe ajo që ndodh në të vërtetë, pra hierarkia e botës së krimit, kanë një ndryshim. Grup kriminal quhet edhe një grup grabitësish që grabisin kasetofonat e makinave apo banesat.

Sigurisht edhe ai grup kriminal është por jo më kot e përmenda hierarkinë e krimit. Ato që janë në të vërtetë grupe të organizuara kriminale janë në atë nivel që kanë një përbërje shumë të madhe në burime njerëzore. Pra, janë grupe me përbërje të madhe personash, kanë fuqi financiare, kontrollojnë territore, etj. Rivale kanë komisariatet e policisë. Pra, kanë të njëjtën gjë siç ka policia, shpërndarjen në terren me inspektorë sepse edhe ata kanë indikatorët e vetë që kontrollojnë terrenin.

Nëse do të përfshijmë grupe kriminale të një rëndësie të tillë që unë përmenda dhe ato që raportohen në raportin e policisë atëherë balanca është krejt ndryshe. Shqipëria ka kaluar disa situata të tilla në të kaluarën, kur i është dashur për të treguar përmirësim të situatës së rendit dhe të sigurisë, i janë referuar statistikave. Në kohën e qeverisjes Berisha mbaj mend kryeministrin që dilte e thoshte kemi asgjësuar 200 banda.

Në fakt 200 banda me një vend me 3 milionë banorë sa Shqipëria, i bie që këtu të mos kishte ngelur asnjë shkelës ligji në rrugë. Do ishin goditur dhe bandat frymore të bashkisë apo të Ministrisë së Mbrojtjes. Pra, cilësimi i grupeve kriminale në atë termin klasik është krejt tjetër gjë me cilësimin policor.

Mund të jenë 60 grupe kriminale, por mund të jenë kryesisht këta që kanë të bëjnë me kanabisin, kultivues, trafikues të kanabisit, mund të jenë këta që merren me grabitje apo me aktivitete të tjera të paligjshme por atë që njihet në hierarkinë e krimit, grup i organizuar kriminal është krejt tjetër gjë. Shqipëria njëherë nuk i ka aq shumë grupe sa thuhet, por ato grupe që ka i ka goxha të fuqishme dhe me eksperiencë.

Diferenca bëhet kur flasim për arrestime dhe këtu dua të fokusohemi shumë të pakta janë rastet e ekspozuara. A dihet fati i këtyre arrestimeve, flas për njerëzit e fuqishëm?

Një nga problemet më të mëdha që ka qenë dhe mbetet është se jemi në një emergjencë kombëtare të narko-trafikut. Të gjitha burime që ka shteti shqiptar, agjencitë e zbatimit të ligjit, SHISH dhe deri tek agjencitë e tjera që merren me hetimin, janë të përfshirë në këtë emergjencë kombëtare.

Siç e shikoni, ka një përpjekje të madhe dhe një ndryshim të taktikës së luftës kundër kanabisit, sidomos të kontrollit të territorit. Situata është dukshëm e përmirësuar; sasia e kultivuar është fare e papërfillshme në krahasim me vitin e kaluar. Situata është aq e ndryshuar sa po të them vetëm një fakt. Vetëm gjatë muaji të fundit, pra gjatë një muaji, në Shqipëri unë kam kontaktuar të paktën 13 grupe xhirimi të huajsh.

Ata kanë ardhur në Shqipëri të gjitha pas ekspozesë së vitit të kaluar dhe mendonin se kur të vinin në Shqipëri do ta gjenin Shqipërinë si Kolumbia dhe kur kanë ardhur këtu kanë hasur në vështirësi të mëdha sepse kanë ardhur me idenë se do të gjenin plantacione të tëra siç ishin vitin e kaluar.

Do të hynin të filmonin në zona të ndryshme të Shqipërisë, do të gjenin qindra apo mijëra punëtorë që janë të punësuar nga narko-trafikantë por në fakt situata ka qenë e ndryshme. Sigurisht të gjithëve iu është dhënë mundësia që të hipin në helikopterin e ministrisë së Brendshme dhe të fluturojnë në Shqipëri, të monitorojnë nga ajri.

Mua s’më kanë thirrur asnjëherë, mbase besojnë se unë mund t’i çoj direkt atje ku është plantacioni por gjithsesi gjithë kolegëve të mi të huaj iu është dhënë kjo mundësi. Dhe kur kanë konsumuar të gjitha rrugët e tjera, kanë ardhur tek unë me një ide ‘ore dëgjo si është situata dhe ku mund të gjej”. Se ky është problemi.

Duke patur këtë fat që kanë ardhur 13 grupe të huaja tregon se sa e ndjeshme dhe sa i ndjeshëm është opinion botëror ndaj një fenomeni të tillë dhe sa rezultative është kjo situatë kaq e vështirë të gjesh këtë vit plantacione apo parcela të kultivuara. Krejt ndryshe nga viti i kaluar që mund të gjeje.

Ku janë zonat më problematike me kanabis?

Problematika më e madhe që ka pasur Shqipëria në luftën kundër narko-trafikut ka qenë se gjithmonë kapeshin kultivuesit, punëtorët, transmetuesit, korrierët por nuk shkohej në nivele të larta. Pas 4 ose 5 vitesh, më në fund para 2 muajsh është kapur një personazh shumë i rëndësishëm, një “boss” i trafikimit të drogës. Boss sepse ishte grumbulluesi më i madh në Jug të vendit, bëhet fjalë jo për dhjetëra ton por me qindra ton kanabis.

Nga mediat dhe autoritetet italiane është cilësuar si furnitori kryesor i Cosa Nostra-s në Siçili dhe po kështu edhe i Santa Corona Unita në Puglia dhe prokurori i Katanias ka ardhur në Shqipëri 3 herë brenda 4 muajsh dhe kjo është një çështje e nisur nga Prokuroria e Katanias edhe pse bëhet fjalë për një ngarkesë të kapur në vitin 2014. U habita që u arrestua. Ky person u arrestua në një makinë të blinduar në Tiranë dhe u lirua brenda 28 ditësh. E prisja që të lirohej sepse sistemi ynë i drejtësisë nuk është në gjendje të mbajë peshq të këtij niveli.

Pra ne kemi rrjeta për cironka, nuk kemi rrjetë peshkaqenësh. Brenda 28 ditësh ka dalë dhe ditën që ka dalë nga burgu e shoqëronin 3 makina të blinduara. Pra, llogarite këta janë personazhet. Këto 60 bandat, nuk ka nevojë të godasësh 60 bandat edhe pse ato kanë rëndësinë e vetë. Një fshatari dëm më i madh i bëhet kur i vjedhin një viç, atë ka pasuri ai, një biznesmeni i bëhet dëm kur i grabisin fabrikën. Në rastin konkret ky person, që mua mu duk vërtet arritje arrestimi i tij, brenda 28 ditësh u lirua dhe sistemi dëshmoi edhe njëherë që nuk është gati për të dhënë goditje në nivel të tillë.

Dhe ne do kemi problematikë sepse nëse nuk godasim bosët e drogës të cilët kanë paranë në dorë, nëse nuk godasim financat e tyre, fenomeni mund të ripërsëritet siç ka ndodhur në të kaluarën. Vijmë tek pyetja që sapo më bëre. Shqipëria ndryshe nga vitet e tjera, sidomos këto vitet e fundit ka një sipërfaqe thuajse të papërfillshme. Është kultivuar në zona shumë të thella, kryesisht në zona ku njerëzve iu është bërë ves, që nuk kanë me çfarë të merren tjetër.

Janë të rinj, të cilët kanë pasur sukses në vitet e tjera por nuk kanë asnjë mundësi tjetër për t’u punësuar apo marrë me aktivitet tjetër dhe meqenëse janë marrë, ia kanë marrë dorën, e dinë se si bëhet domethënë kanë vazhduar edhe këtë vit edhe pse e dinë shumë mirë se do të neutralizohen por duke synuar në zona shumë të thella dhe në parcela shumë të vogla. Kanë qenë kryesisht në Malësinë e Dukagjinit, në komunat Shosh, Pult.

Ka pasur në zona të thella të Vlorës, pak edhe në Pukë, në Skrapar e Tepelenë por janë në zona të thella e sipërfaqe të papërfillshme që nuk përbëjnë asgjë me fenomenin që ka patur Shqipëria. Pra, kemi kaluar nga 2.5 milionë rrënjë që ka asgjësuar policia vjet, deri tani sasia e bimëve të asgjësuara nuk i kalon 40 mijë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0076389312744141
array(1) { ["section"]=> string(110) "e-liruan-28-dite-pas-arrestimit-artan-hoxha-ja-kush-eshte-bosi-shqiptar-i-droges-i-lidhur-me-cosa-nostra-87738" }