Policia e Elbasanit ka arrestuar një 46-vjeçar pasi akuzohet se ka ndjekur dhe më pas i ka dëmtuar makinën një 27-vjeçareje.
Policia bën me dije se i arrestuari është Arian Stafa, 46 vjeç banues në Elbasan.
Stafa u vu në pranga, pasi në Lagjen “Dyli Haxhire” me mjetin e tij ka dëmtuar automjetin në pronësi të Z.K., 27 vjeçe banuese në Elbasan. Dëmtimin e mjetit dyshohet ta ketë bërë pasi e ka përndjekur gjatë ditës së djeshme.
Grupi hetimor, gjatë kontrollit të banesës i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
Një armë zjarri automatik dhe 126 fishekë model 56 kalibër 7.62 mm. Gjithashtu, u sekuestruan dhe dy automjetet e përfshira në ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Përndjekja", “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.