Mënyrat me të cilat tentohet të futen në burgje sende te ndaluara, po sofistikohen përditë e më shumë. Ditët e fundit në Burgun e Lezhës, policia e burgjeve ka kapur një tenxhere në të cilën ishin fshehur 3 celularë dhe aksesorët përkatës.
Tenxherja ishte e mbushur me gjellë dhe poshtë kishte një fund të dyfishtë. Punonjësit e policisë së burgjeve i kanë bërë një kontroll të imtësishëm, dhe kanë mundur të zbulojnë celularët e fshehur, megjithëse fundi i dyfishtë ishtë maskuar shumë mirë. Materialet e çështjes i kanë kaluar prokurorisë së rrethit për të vijuar hetimin e kësaj çështjeje dhe zbulin e autorëve të saj.
Ky nuk është rasti i parë, kur sendet e ndaluara si celularë apo drogë synohet të futen në burgje me mënyra të sofistikuara. Pak muaj më parë në burgun e Lezhës policia kapi një top futbolli të fryrë, që u hodh nga jashtë rrethimit të burgut dhe që në brendësi kishte 3 celularë.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë të ditur se vetëm gjatë muajit janar 2019 policia e burgjeve ka mundur të kapë 15 celularë, që tentonin të futeshin, apo ishin futur në burgje.