E PLOTË/ Çfarë ndodhi dje në sallën e gjyqit me Tahirin, si ia rrëzoi një nga një hamendesimet ish-ministri Prokurorisë: Si është e mundur që ia kemi futur njëri-tjetrit?!

Publikuar tek: politike, më 10:43 11-09-2019 E PLOTË/ Çfarë ndodhi dje në sallën e gjyqit me Tahirin, si ia rrëzoi një nga një hamendesimet ish-ministri Prokurorisë: Si është e mundur që ia kemi futur njëri-tjetrit?! Saimir Tahiri dje në sallën e gjyqit

Prokuroria e Krimeve të Rënda dha dje pretencën për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke kërkuar 12 vite burg, dhe e konvertuar me gjykim të shkurtuar 8 vite.

Seanca maratonë zgjati rreth 7 orë, ndërsa Tahiri bëri një mbrojtje të shkëlqyer para trupës gjykuese.

Gjatë dëshmisë së tij përballë togave të zeza, ish-ministri ka  "lënë pa fjalë”, prokurorët e çështjes së tij, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arens Çela.

Tahiri mori situatën nën kontroll, ndërsa shpalosi të gjithë argumentat për mbrojtjen e tij, shkruan Newsbomb.al

Mbrojtja që ish-ministri bëri surprizoi shumëkënd, ndërsa edhe avokati i tij Maks Haxhia u shpreh para mediave:

"Mbrojtja e Saimir Tahirit ishte brilante dhe ishte individuale, e ka shkruar vetë ai pjesën e tij. Gjej rastin të vlerësoj gjithë përkushtimin që ai ka bërë në njohjen e procesit dhe sjelljen e provave të reja që e vënë në mungesë totale prokurorinë përballë provave.”

Newsbomb.al. ju sjell më poshtë detaje se ç'ndodhi dje në sallën e gjyqit:

Email-i konfidencial

Fillimisht ish ministri, nxorri para trupës gjykuese një email që Gjergj Kohila, ish-Shefi i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Vlorë, i cilësuar si i pandehur në këtë çeshtje, i ka dërguar prokurorit, Dritan Prençi. Kohila i ka dërguar këtij të fundit një e-mail konfidencial ku kallëzon vëllezërit Habilaj dhe i kërkon që Habilajt të merren në përgjegjësi penale e ndaj tyre të fillojë çështja penale.

Mirëpo, si për ironi, ky prokuror kërkoi përgjegjësi penale për Kohilën duke e akuzuar për trafik droge në bashkëpunim me Habiljat.

Ky e-mail i nxjerrë nga Tahiri, ka gjetur të papërgatitur organin e akuzës e veçanërisht prokurorin Dritan Prençi i cili ka mbetur pa fjalë pas kësaj.

Shkresa sekrete për radarët

Ish ministri nxorri një shkresë të cilësuar si "Top Secret” të cilën ia ka dërguar ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ku sipas tij e ka informuar se policia ka konstatuar se radarët nuk punojnë.

“Unë në kohën që kam qenë ministër i Brendshëm, në vitin 2016, i kam dërguar një shkresë konfidenciale, “Top Secrete”, koleges sime, ish-ministres Mimi Kodheli. Në këtë shkresë, e kam vënë në dijeni se radarët e ushtrisë nuk punonin, pasi Policia kishte konstatuar mosfunksionimin e tyre, duke hapur një rrugë të re për trafikun e drogës.”-ka thënë Tahiri.

Argumenti për shpenzimet

Prokuroria e akuzoi Tahirin për shpenzime të shtrenjta, ndërsa ish-ministri është shprehur para trupës gjykuese se çmimi më i shtrenjtë i paguar si ministër, është vetëm 140 euro. 

“Prokuroria ka hetuar të gjithë lidhjet e mia shoqërore dhe ka pyetur me letër porosi, se c’ punë kishte këtë nuk e di. Ka çuar letër porosi dhe ka pyetur edhe për çmimet e hoteleve ku kam fjetur, në media u tha se unë flija në hotele me 1 mijë euro nata. Por ju garantoj se me letër porosi është garantuar se çmimi më i shtrenjtë i paguar si ministër, është vetëm 140 euro, jo si ajo tjetra që paguante 900 euro nata.” ka thënë Tahiri.

Argumentat për Jaeld Çelën

Gjatë dëshmisë së tij Tahiri ka përmendur edhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën. Për këtë të fundit, ish ministri tha se se ka qenë ai që ka referuar në prokurori materiale për Moisi Habilajn. Madje mbi dokumentet e protokolluara nga Jaeld Çela dhe informacionet e kryepolicit të Vlorës, posta e Selenicës ka asgjësuar në terren parcelat me kanabis.

“Si është e mundur që ja kemi futur njëri-tjetrit? Si është e mundur që një ministër të ketë rolin e ndihmësit? E pse qenkam unë “ministri” dhe jo një ministër nga Vlora? Çfarë kam bërë unë, ngarkim-shkarkim? Apo i kam shpërndarë cigare grupit?”-janë disa nga pyetjet që Tahiri iu ka drejtuar prokurorëve.

Dëshmia për  'Shefin i madh"

Sipas Prokurorisë kur Habilajt flisnin për një takim me shefin e madh në Tiranë e kishin për ish ministrin Tahiri. I cili ndërkaq nxorri gjithë çfarë kishte bërë gjate 24 orëve atë dite që pretendonte prokuroria.

“Në fakt në ditën që bëhet biseda, unë ndodhesha në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon, dhe kam dalë në konferencë me komisionerin për Zgjerim. Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë. Prokuroria më akuzon se kam pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës”, ka thënë Tahiri.

 30 mijë eurot

Gjatë seancës Tahiri ka foLur edhe për akuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj tij se do të merrte 30 mijë nga anëtarët e bandës Habilaj. Ish ministri ka mohuar dje të ketë qenë personi që merrte 30 mijë euro, siç rezulton në përgjimet e Prokurorisë, teksa flitet për një person me emrin “Saimir”. Tahiri ka nxjerrë në pah se prokuroria ka vërtetuar se Saimiri i 30 mije eurove ishte një shofer kamioni. E megjithatë e la gjithë zallamahinë te vazhdonte pasi kështu i interesonte për të mbajtur gjallë çështjen.

Ministria e Brendshme dhe operacioni në Lazarat

Para trupës gjykuese, ish-ministri ka folur edhe për minstrinë që drejtoi dhe operacionin e madh në Lazarat.

"Ata më akuzonin për trafik droge në një kohë që luftonim me Lazaratin. Si mund t'i bëja të dyja. Mos harroni kurrë ministrinë që isha dhe luftën që kam bërë kundër drogës. Ndërkohë që luftoja Lazaratin t'i shkeja syrin disa trafikantëve. Është një gënjeshtër e madhe që mu desh kohë ta çmontoja, shpresoj të shkojë mirë deri në fund", ka thënë Tahiri

Iu drejtohet prokurorëve

Ish-ministri iu drejtua prokurovë të çështjes së tij se priste të kishte prova konkrete dhe jo aludime.

“Doja të dëgjoja sot provat konkrete. Në kohën që Prokuroria më lidh me Laerd Çelajn, ky i fundit nuk ishte më drejtor i Policisë së Vlorës. Ajo çfarë unë duhet të dëgjoja sot janë veprimet dhe provat konkrete kundër meje dhe jo aludime për fakte që nuk i kam kryer. Prokuroria aludon se jam unë personi që kam favorizuar Habilajt. Prokuroria të më thotë se nga njëra anë veproja si pjesë e grupit kriminal dhe nga ana tjetër bashkëpunoja për ta goditur atë”, tha ish ministri.

Deklarata e fortë jashtë gjykatës

Saimir Tahiri bëri një deklaratë të fortë, pas seancës maratonë te Krimet e Rënda.

I pyetur nga gazetarja Klodiana Lala nëse beson se Saimir Tahiri do të jetë sërish në majë, ish-ministri tha se në majat e poltikës janë sot edhe persona të akuzuar për vrasje njerëzish dhe vjedhje stratosferike.

“Praktika ka treguar që sot i ke në majat e politikës ata që kanë pasur akuza në lëkurën e tyre edhe për vrasje njerëzish dhe vjedhje stratosferike nga xhepat e njerëzve dhe sot janë prap në majat e politikës. Unë nuk po mendoj për këto unë po mendoj për drejtësinë time”, tha Tahiri.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0071618556976318
array(1) { ["section"]=> string(124) "e-plote-cfare-ndodhi-dje-ne-sallen-e-gjyqit-me-tahirin-si-ia-rrezoi-nje-nga-nje-hamendesimet-ish-ministri-prokurorise-178045" }