Dy persona po procedohen penalisht pasi kanë braktisur fëmijët e tyre të mitur në shtetin italian për të përfituar azil.
Policia ka mundur ti ndalojë në Rinas. Shtetasi L.GJ, banues në Belsh ka udhëtuar drejt Italisë së bashku me djalin e tij 15 vjeçar me inicialet A.GJ, por është kthyer në Shqipëri vetëm, pasi djalin e ka braktisur në Itali.
Një tjetër shtetas shqiptar me inicialet N.S 51-vjeç, ka braktisur djalin e tij 16 vjeç për të përfituar azil në shtetin italian. Policia po i procedon penalisht dhe materialet u referuan Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare procedon penalisht dy shtetas për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur” Në kuadër të masave për frenimin e migracionit të paligjshëm, apo atë të azil kërkimit, nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Rinas u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin L.Gj, 52 vjeç, banues në Belsh, Elbasan, pasi: Më datë 16.09.2017, ka udhëtuar së bashku me djalin e tij të mitur A.GJ, 15 vjeç, drejt Italisë, dhe është kthyer vetëm ndërsa fëmijën e ka braktisur në Itali. Po më datë 18.01.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin N.S, 51 vjeç, banues në Elbasan, pasi: Më datë 30.09.2017, ka udhëtuar drejt Italisë së bashku me djalin e tij të mitur F. S, 16 vjeç, dhe është kthyer vetëm ndërsa fëmijën e ka braktisur në Itali.