E RËNDË/ I vjedh telefonin vajzës së vdekur, ia gjejnë të bijës, si u justifikua efektivi i policisë

Publikuar tek: aktualitet, më 09:28 23-05-2017 E RËNDË/ I vjedh telefonin vajzës së vdekur, ia gjejnë të bijës, si u justifikua efektivi i policisë

Një efektiv policie nga Kavaja ka patur guximin që telefonin e një viktime në një aksident rrugor ta fusë në xhep dhe më pas t’ja dhurojë të bijës.

Si pasojë, efektivi është arrestuar pasi prova të forta janë zbuluar kundër tij, ndërsa akuzohet për  “Vjedhje, e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Denoncimi për këtë rast është bërë nga kunati i vajzës që humbi jetën në aksident. Ai ka pohuar se nga sendet e së resë mungonte vetëm celulari “Samsung J5”. Ky aparat rezultoi se ishte marrë nga punonjësi i policisë i Komisariatit Kavajë, pranë pikës së bllokimit të mjeteve të sekuestruara, i pandehuri Bali Ballhysa, dhe më pas ia ka dhënë vajzës së tij.

Sipas të dhënave, ky celular është vendosur në punë vetëm një ditë pas aksidentit, dhe vetëm 46 minuta pasi Baki Ballhysa ka lënë shërbimin.

Kallëzimi

Në datën 10.03.2017, pranë Shërbimeve për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është paraqitur shtetasi D.M. dhe ka depozituar ankimin, në të cilin ka deklaruar se në datën 01.03.2017, rreth orës 13:00, në vendin e quajtur ‘Bishti i Zhurit’, Kavajë, ka ndodhur një aksident ku si pasojë ka humbur jetën kunata e tij J. Toromani. Ai ka pohuar se, përveç sendeve të tjera personale, J. Toromani ka pasur dhe telefonin e saj ‘Samsung Galaksi J5’, me numër IMEI xxxxxxxxxxxxx, me numër telefoni xxxx630, për të cilin deklaron se nuk e kanë marrë. Ai ka pohuar se ka dyshime që këtë telefon e kanë marrë punonjësit e policisë të Komisariatit Kavajë, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore për këtë çështje.

Hetimi

Pas këtij kallëzimi, u është kërkuar informacion kompanive celulare dhe në përgjigje të shkresës nga ana e Prokurorisë Kavajë, kompania ‘xxx’ sha, ka informuar se në aparatin celular me numër Imei xxxxxxxx790, është përdorur më datë 02.03.2017 ora 22:46, numri celular xxxxx 007, i regjistruar në emër të shtetases Zh. Ballhysa. Ndërkohë, me procesverbal mbi këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve datë 09.05.2017, ora 08:00, është bërë këqyrja dhe marrja e “Librit të marrjes e dorëzimit të shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve Kavajë 2016-2017”, shkruan gsh.al 

Në datën 01.03.2017, ora 14:00-22:00, gjendet procesverbali përkatës si dhe shënimi i po kësaj date për bllokimin e mjetit tip ‘Benz’ me targa AA477NV të shtetasit A.RR. Gjendet gjithashtu edhe procesverbali i datës 02.03.2017, në orën 14:00, ku dorëzues i shërbimit është shtetasi S.H. dhe marrës i shërbimit Baki Ballhysa, shërbim të cilin e ka lënë në orën 22:00, dhe vetëm 46 minuta më pas, në orën 22:46, siç njoftohemi nga kompania telefonike, aparati celular me numër Imei xxxxxxxxxx790, është vënë në përdorim nga e bija e të ndaluarit Baki Ballhysa.

Vajza e ish-policit

E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Zh. Ballhysa, e cila është vajza e shtetasit Baki Ballhysa, ka shpjeguar se ka në përdorim dhe të regjistruar në emrin e saj numrin celular xxxxxxx 007. Gjithashtu, ajo ka pohuar se ka përdorur numrat celularë xxxxx599 dhe xxxxxxx710, të cilët i ka përdorur në aparatin celular model “Galaxy J5” me numër Imei xxxxxxxxxxxxx 790. Pas deklaratës së dhënë nga vajza e punonjësit të policisë të Komisariatit të Kavajës, ky lloj aparati celular u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Sulmi terrorist në Britani, PD: Terrorizmi po cënon të pafajshmit
Parkoi mjetin gabim, humb jetën shoferi në periferi të Tiranës »
Article Logic
Execution time: 0.012512922286987
array(1) { ["section"]=> string(103) "e-rende-i-vjedh-telefonin-vajzes-se-vdekur-ia-gjejne-te-bijes-si-u-justifikua-efektivi-i-policise-79635" }