Baba i Devi Lalës, autorit që shkaktoi vdekjen e 15 vjeçarit Angjelo Gjokazaj ditën e djeshme në qytetin e Durrësit, në deklaratën e parë publike shfaqet në gjendje të rënduar psikologjike.
Gjatë fjalës së tij ku ka treguar se si e ka mësuar ngjarjen, nuk kanë munguar as momentet kur ai nuk i ka përmbajtur dot emocionet duke shpërthyer në lot.
Artir Lala, tha për Report TV se kur ka mësuar ngjarjen ka qenë në punë, ndërkohë që ka marrë një telefonatë nga një i njohur.
“Isha në punë dhe më morën në telefon dhe më thanë se Devi kishte goditur me xham një shokun e tij gjatë një sherri”- ka thënë Artir Lala.
Lala u shpreh se ka arritur të takojë të birin në ambjentet ku ai tashmë po qëndron i izoluar duke thënë se edhe gjendja e Devit, autorit të ngjarjes është shumë e rënduar gjithashtu.
“E takova djalin, ishte i trembur, i thash ku e gjete thikën, më tha kam tre ditë që e kam blerë. Por unë nuk besoj se e ka blerë. Nuk i kam parë ndonjëherë thikë, me thikë me vete nuk ka qenë, mos ia kanë dhënë shokët”.
Lala ka rrëfyer edhe një tragjedi të rëndë që ka prekur familjen e tij 3 vite më parë, ku mësohet se ka humbur djalin tjetër 17 vjeçar si pasojë e një aksidenti në ambjentet e shtëpisë.
"Para tre vitesh na ka ndodhur një ngjarje, më ka rënë çuni nga çatia e shtëpisë...Tani më keq më vjen për viktimën që morëm ne, sesa për djalin tim".- është rrëfyer i prekur ai.