E vendosa, do ta refuzoj ftesën e Ramës vitin tjetër

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:21 30-12-2015 E vendosa, do ta refuzoj ftesën e Ramës vitin tjetër

Nga Mentor Kika

Unë jam ndër ata gazetarë që pata një ftesë nga kryeministri Rama për darkën e vitit të ri. As u gëzova që më erdhi ftesa, e as mendova ta refuzoj, për tu bërë hero antiqeveritar. Vjet nuk më ftuan, dhe s’më mbeti pikë hatri, pasi këto pritjet e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë i konsideroj më shumë bezdi, por institucionalisht, në përgjithësi, i respektoj. I shfrytëzoj edhe për tu takuar e biseduar me kolegë, me të cilat shihemi gjithnjë e më rrallë. Por nuk më duket edhe ndonjë heroizëm ti refuzoj publikisht. Nëse kam punë apo nuk dua të shkoj, thjeshtë nuk shkoj dhe kaq. Nuk kam shkuar, për këto arsye njerëzore, në shumë prej tyre, madje edhe në ndonjë pritje të ambasadës së SHBA, ku “inteligjenca” e Tiranës, mban radhë 4 orë për tu futur, e ku nuk mungon askush.

Por sivjet, të refuzuarit e ftesës së Ramës u bë disi demonstrative. Disa kolegë nuk shkuan dhe e bënë lajm faktin që nuk shkuan, a thua cfarë kishin bërë. Kishte edhe nga ata qe shkuan, por qe e ndjenin se nuk duhej te shkonin dhe pastaj sqaruan publiksiht se perse kishin shkuar.

Në fakt ka një debat të gjërë mbi formatin e “shfaqjes” që kryeministri përgatit me gazetarët. Gazetarët ironizojnë kryeministrin, duke i thënë ca gjëra troç, dhe kryeministri gazetarët. Mua nuk më duket ndonjë gjetje e madhe artistike, dhe mund të kem një mijë verejtje edhe për protokollin(se di cduan pronarët aty). Por nuk më duket as ndonjë hata e madhe që duhet të merremi natë e ditë me këtë punë. Kushdo që ka dy para mend, ka tërë vitin në dispozicin për ta mësuar, kuptuar dhe ndjerë në kurriz sesa i lirë është në punën e tij si gazetar. Nuk e la ta mësojë ate natë, nga cfarë do të thotë kryeministri në një fjalim 7 minutësh. Megjithatë kush u habit kur dëgjoi Ramën të thotë se unë nuk i lexoj gazetat e nuk shikoj TV? Lexon edhe statuset në fb, por ata që nuk kanë shkruar ndonjë gjë me “spec”, nuk kanë nga ta dinë që ai i lexon vërtet. Kam shkuar edhe në pritjet e ish kryeministrit dhe ish presidentit Berisha. Kam shkuar në selinë e qeverisë dhe presidencës, të cilat janë të Shqipërisë dhe nuk do ta bëja këtë, nëse do të më ftonin në dasmë të fëmijëve të tyre.

Kush ka dashur ta bëjë opozitarin apo gazetarin e pavarur me kryeministrin dhe gjithkënd tjetër, ka patur tërë vitin në dispozicion për ta bërë, përmes asaj që ka shkruar e ka folur. Nuk mund të bëhesh gazetar rrebel duke shkruar nëpër rrjete sociale e media se unë nuk do të iki në pritje “sepse Rama është një kryeministër që nuk e do fjalën e lirë”.

Më falni, por cili kryeministër e do fjalën e lirë? Njihni ndonjë që të ketë qejf ti përmendësh paudhësitë e tij, ministrave e shpurës së sipërmarrësve që e rrethojnë?

Nëse ne si gazetarë do të duhet të bëjmë një gjë, në shenjë rebelimi ndaj kryeministrit, meqë ai e meritoka këtë, dhe politikës në tërësi, hajde të marrim një vendim e të mos i transmetojmë Live cdo idiotësi që bëjnë ata. Hajde të mos i transmetojmë teatrot parlamentare 24 orë, non stop, e ta shikojmë nëse do të zihen më kështu sic bëjnë, apo jo? Hajde të mos i transmetojmë ministrat e deputetët që bëjnë foto e skena me fëmijët jetimë, kur u japin në mënyrë triumfale nga një lodër e dalin nëpër ekrane si heronj. Hajdeni të mos i transmetojmë live shfaqet “Të luajmë tapirash” me legalizimet. Hajdeni të mos i transmetojmë kur bëjnë xhiro me bicikleta në ditën e mjedisit, e më pas makinat e tyre luksoze i parkojnë në trotuare…. hajdeni ti bëjmë këto e shume më shumë se kaq, se atëherë kemi bërë detyrën më mirë.

Megjithatë, meqë të refuzosh ftesën është bërë tashmë heroike, unë po zë radhën që tani: Nuk do të iki në pritjen e Ramës(nëse do të më ftojë), madje në asnjë pritje zyrtare, për Vitin e Ri 2017. Dhe me këtë që po bëj, besoj do të shpallem gazetari i vitit për 2016-ën.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0070431232452393
array(1) { ["section"]=> string(57) "e-vendosa-do-ta-refuzoj-ftesen-e-rames-vitin-tjeter-28891" }