EDHE SA TË TJERË DO TË VDESIN PREJ COVID-19?!

Publikuar tek: aktualitet, më 13:40 03-08-2020 EDHE SA TË TJERË DO TË VDESIN PREJ COVID-19?! Edi Oga

Nga Edi Oga për Newsbomb.al 

Gjashtë muaj më parë, kishim plot halle të tjera, por jo këtë hall kaq të madh!

Njerëzit në të gjithë planetin, kishin hallet e tyre, personale, por ishte e pamendueshme që i gjithë njerëzimi të kishte të njejtin hall, të gjithë njëkohësisht! Aq më tepër njerëzit me "halle të zgjidhura", të pasurit e të pushtetshmit, sidomos ata që jetonin në vende të sigurta! Por jo! Ky virus u bë halli numër një për këdo, pavarësisht gjithçkaje!

Jemi ruajtur për dekada të tëra nga shpërthimi i luftës bërthamore; gjithnjë kemi menduar se ndonjë i çmendur do të shtypte çelësin e bombës së parë dhe me efekt kaskadë, do të ndizeshin të gjitha bombat bërthamore të Botës dhe do të bëhej nami!

Për fatin e mirë të të gjithëve kjo nuk ndodhi; për fatkeqësinë e të gjithëve ndodhi Covid-19!Një virus i padukshëm me kurorë, rezultoi më i fortë se njeriu, më i fortë sesa të gjitha shtetet, më i fortë edhe sesa shteti më i fuqishëm në Botë! Një virus që e bëri Organizatën Botërore të Shëndetësisë të duket si një qendër shëndetësore e një fshati të largët ku mjeku shkon dy herë në javë dhe vetëm me mushkë!

Më parë besonim se shkenca ishte kaq e avancuar, sa ishte e pamundur që një virus të bënte "çfarë t'i donte qejfi" për një kohë kaq të gjatë, me kë të donte e si të donte!

Vetë shkencëtarët besonin se i njihnin epidemitë aq mirë, sa mund të parashikonin incidencën, intensitetin, kulmin, kohëzgjatjen, rënien e pse jo edhe zhdukjen e tyre!

Por kjo nuk ndodhi me Covid-19! Të gjitha parashikimet ranë poshtë dhe sot e kësaj dite, asnjë shkencëtar nuk guxon të firmosë ndonjë parashikim për të ardhmen e kësaj pandemie!

Çfarë po ndodh aktualisht në Botë?

Bota vazhdon kërkimet e ethshme për të gjetur vaksinën efikase; përveç se një biznes i sigurt shumëmiliardësh, posedimi i saj do të ishte një faktor thelbësor në riformatimin e hartës së fuqive botërore: zotëruesi i vaksinës do të konsiderohej më i fuqishëm sesa zotëruesi i armës bërthamore!

USA, Britania, Rusia, Australia, Gjermania, Izraeli... sot janë në garë mediatike për të bindur opinionin se vaksina e tyre është në testimet e fundit dhe do të jetë gati shumë shpejt! Shtetet blerëse i kanë ngritur antenat dhe janë gati të shpenzojnë llokma GDP-je si e si ta sigurojnë sa më shpejt vaksinën jetëshpëtuese! Ndërkohë, megjithë ndonjë rrymë të kundërt mendimi si ajo e Berlinit, e gjithë Bota vazhdon të kontrollojë masat e distancimit social, madje në disa vende po rikthehen masat ekstreme të izolimit!

Po në Shqipëri, çfarë po ndodh në raport me COVID-19?

Përgjigjen e dini të gjithë; KAOS! Nuk e merr vesh i pari të dytin! Ligjvënësit aprovojnë ligje dhe i shkelin vetë të parët! Ndalohet muzika në lokale pas orës 20.00, por lejohen shkumapartet dhe harbimet! Akademia e Shkencave numëron rastet e të infektuarve, e pjeston me numrin e banorëve dhe këtë e quan studim shkencor! Çdo ditë ka të infektuar të rinj, të sëmurë rëndë dhe medet, njerëz që humbin jetën. Të pasurit dhe pushtetarët e sëmurë marrin avionë privatë dhe kërcasin në Turqi! Ka edhe të pafytyrë që shtiren sikur janë infektuar, që të kalojnë rehat dy javë në ndonjë plazh ekzotik!

Duhet ta pranojmë se nuk jemi shoqëri me nivel të tillë që të ruajmë veten, prandaj deri kur kësaj flame t'i gjendet ilaçi, "na ruajt Zoti"!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.010524988174438
array(1) { ["section"]=> string(50) "edhe-sa-te-tjere-do-te-vdesin-prej-covid-19-215922" }