Efekti i "Deeuroizimit", BSH: Ja të mirat që do sjellë (E PLOTË)

Publikuar tek: ekonomi, më 08:32 24-02-2018 Efekti i

Banka e Shqipërisë, po synon të tërheqë vëmendjen e publikut, se impakti i paketës së “Deeuroizimit” do të shkojë në drejtimin e duhur, atë të uljes së rreziqeve financiare dhe rritjen e mirëqenies së të gjithë shoqërisë.

Ekspertët e Bankës i thanë “Monitor” se impakti i paketës në sektorin financiar do të shfaqet vetëm gradualisht dhe efektet e tij mund të jenë të dukshme vetëm në afatin e gjatë. Politikëbërësit dhe agjentët ekonomikë do të kenë kohën e mjaftueshme për të reaguar, duke marrë masat e duhura mbrojtëse apo kompensuese për ndikimet e padëshiruara në ekonomitë e tyre individuale. Ndërkohë, prej tyre do të përfitojnë e gjithë ekonomia dhe shoqëria shqiptare.

A do ta shoqëroni këtë paketë me ulje të normës bazë të interesit në lek, pasi ndryshe do të ketë si ndikim të parë shtrenjtimin e kredisë për biznese e individë, pra një ulje të faktorit të kreditimit në rritje të ekonomisë?

Banka e Shqipërisë nuk parashikon ta shoqërojë lançimin e paketës së masave për rritjen e përdorimit të monedhës euro me një ulje të normës bazë të interesit, apo me fjalë të tjera, me lehtësim të politikës sonë monetare.
Arsyeja për këtë është e thjeshtë: ndikimi i kësaj pakete masash në situatën e likuiditetit të bankave dhe në kushtet e tyre të përgjithshme të kreditimit pritet të jetë neutral, pse jo dhe pozitiv. Shtrenjtimi i të bërit biznes në euro për sektorin bankar, apo rritja e kostos së ndërmjetësimit financiar në valutë, kompensohet tërësisht nga lehtësimi i kostos së ndërmjetësimit financiar në monedhën tonë, lek.

Në prani të një interesi gjithnjë e më të madh të agjentëve ekonomikë dhe të vetë sektorit bankar ndaj kreditimit në lekë, kjo do të thotë që kushtet e përgjithshme të kreditimit nuk shtrëngohen; madje, ato edhe mund të lehtësohen më tej.

Gjithsesi, dëshiroj të tërheqim vëmendjen e publikut të gjerë në faktin se, ndonëse masat tona shkojnë në drejtimin e duhur – atë të uljes së rreziqeve financiare dhe rritjen e mirëqenies së të gjithë shoqërisë – ndikimi i tyre në sektorin financiar do të shfaqet vetëm gradualisht dhe efektet e tij mund të jenë të dukshme vetëm në afatin e gjatë. Politikëbërësit dhe agjentët ekonomikë do të kenë kohën e mjaftueshme për të reaguar, duke marrë masat e duhura mbrojtëse apo kompensuese për ndikimet e padëshiruara në ekonomitë e tyre individuale. Ndërkohë, prej tyre do të përfitojnë e gjithë ekonomia dhe shoqëria shqiptare.

Pse ka një fokus kaq të madh për 25% të portofolit të kredisë, që është pjesa që është e “pambrojtur” nga kursi i këmbimit?

Ky portofol përfaqëson një kanal të mundshëm dhe të rëndësishëm rreziku për qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe aftësinë e tij për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme procesin e ndërmjetësimit financiar. Ai përfaqësohet nga huadhënie në valutë drejt familjeve dhe ndërmarrjeve, të cilat kanë pozicione bilanci maksimalisht të hapura sipas monedhave, pra ku ndikimi i lëvizjeve të mundshme të kursit të këmbimit, është i lartë. Në një rast hipotetik të lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit, kjo do të dëmtonte rëndë aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse, dhe do të përcillej si stres i shtuar në sektorin bankar përmes rritjes së nivelit të kredive me probleme, dobësimit të situatës së likuiditetit, e ndoshta edhe të kapitalit.

Megjithëse pesha e këtij portofoli ka ardhur në rënie në vitet e fundit, ajo vlerësohet përsëri e lartë. Në kushtet e përshpejtimit të rritjes ekonomike, është i pranishëm shqetësimi që burimet e bollshme ekzistuese në valutë (depozitat në valutë) në sektorin bankar, mund të kanalizohen përsëri drejt kreditimit në valutë tek subjektet e pambrojtura nga rreziku i kursit të këmbimit, dhe zhvillimet pozitive të viteve të fundit të ndalen ose edhe të zhbëhen.

Këto janë arsyet përse, përmes masave ndërgjegjësuese për subjektet huamarrëse në valutë lidhur me rreziqet që mund ta shoqërojnë këtë veprimtari, veçanërisht në rastet kur ajo është e pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, synohet që vendimmarrja e tyre për lloj huamarrjeje të jetë më e mirinformuar dhe preferenca të ulet.

Penalizimi i depozitave në euro a mos rrezikon të krijojë një fluks dalës të kursimeve të emigrantëve, që deri tani kanë ardhur në Shqipëri, ose si rezultat i “krizës greke” ose si rezultat i përqindjes së interesit relativisht të lartë të ofruar nga Bankat në Shqipëri dhe atyre në Europë. Kjo do të zvogëlonte bazën e një sistemi bankar, që edhe sot është e vogël në raport me ekonominë….

Jo, ky është një skenar me një probabilitet zero. Së pari, sektori bankar shqiptar e ka provuar veten të aftë të tërheqë kursimet e qytetarëve, edhe pse në prani të një niveli tejet të ulët të normave të interesit, si pasojë e kursit të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane.

Së dyti, sikundër e theksoni dhe ju, sektori bankar shqiptar ka ofruar në vazhdimësi norma më të larta interesi se sektori i huaj bankar, dhe kjo pasqyron faktin se, si një ekonomi në zhvillim, ekonomia shqiptare vijon të ofrojë kthime më të larta për investimet mbi aktivin. Impakti i kësaj mase nuk mund kurrsesi të ndryshojë këtë dinamikë.

Çfarë synimi ka Banka e Shqipërisë për pjesën relative në përqindje të kredisë në euro për bizneset “e pambrojtura”, pasi sot është 26%. Sa synoni ta çoni në 3 vjet?

Banka e Shqipërisë nuk ka aktualisht një objektiv sasior për këtë tregues. Masat që kemi marrë janë stimuluese, dhe si të tilla ato nuk vendosin kufizime administrative, të ngurta, për bankën dhe për huamarrësin, lidhur me këtë lloj veprimtarie. Në atë rast, do të kishte më shumë kuptim vendosja e treguesve sasiorë. Masat stimuluese, synojnë fillimisht që vendimmarrja e huamarrësit të jetë sa më e mirinformuar. Ne do të ndjekim dhe do të verifikojmë në praktikë ndikimin e masave të marra dhe nëse konstatojmë që ndikimi i tyre ka qenë i pamjaftueshëm, do të vlerësojmë mundësinë e zbatimit të masave të tjera plotësuese.

Si do ta kontrolloni nivelin e lartë të euros informale që qarkullon në vend, një pjesë e konsiderueshme e së cilës sot po shkon në ndërtim (Ndërtuesit raportojë se ka një rritje të shitjeve të apartamenteve në cash, kryesisht në euro).

Është në interesin e së gjithë shoqërisë, që të bëhet çdo përpjekje për të formalizuar maksimalisht pjesën informale të ekonomisë. Përparësitë e këtij veprimi janë të shumta, ku përfshihen përmirësimi i standardeve të konkurrencës në treg, rritja e kapacitetit të buxhetit të shtetit për dhënien e shërbimeve publike, kufizimi i hapësirave për veprimtari antiligjore. Në sferën e veprimit të Bankës së Shqipërisë, përdorimi më i lartë i kanaleve zyrtare financiare, do të përmirësonte efektivitetin e politikave tona. Kështu, burimet e financimit të veprimtarisë bankare, do të zgjeroheshin dhe mundësia e sektorit bankar për financim të investimeve private e publike do të përmirësohej. Paralelisht, kjo do të sillte edhe përmirësimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, duke e bërë ndikimin e saj më të theksuar dhe të parashikueshëm. Pra, Banka e Shqipërisë është realisht e interesuar që kjo të ndodhë.

Megjithatë, në këtë proces, roli i Bankës së Shqipërisë është shumë i kufizuar, duke pasur parasysh natyrën e fenomenit (zhvillohet jashtë institucioneve financiare) dhe instrumentet që mund të përdorë institucioni ynë (zbatohen vetëm mbi institucionet financiare të licencuara – bankat dhe disa institucione financiare jobankare).

Mendimi ynë është që për të trajtuar efektivisht fenomenin nevojitet angazhim i koordinuar dhe i vazhdueshëm i autoriteteve publike, duke përfshirë ato që monitorojnë transaksionet në ekonominë reale, atyre të zbatimit të ligjit etj. Për të kaluar në përdorimin e valutave në transaksionet e ekonomisë reale, gjykojmë që ka hapësirë për të ndërmarrë masa edhe në këtë drejtim. Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar në prill të vitit të kaluar, ofron një bazë të mirë mbi të cilën autoritetet përgjegjëse mund të identifikojnë dhe të zbatojnë veprimet konkrete të nevojshme.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.02321982383728
array(1) { ["section"]=> string(65) "efekti-i-deeuroizimit-bsh-ja-te-mirat-qe-do-sjelle-e-plote-111277" }