Ekonomia kosovare, pengesë për bashkimin Shqipëri-Kosovë

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:08 10-04-2015 Ekonomia kosovare, pengesë për bashkimin Shqipëri-Kosovë

Tensionet politike në Ballkanin Perëndimor janë rindezur. Më 6 prill, kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria do të bashkohet me Kosovën nëse BE-ja dështon së integruari dy vendet në bllokun kontinental. I menjëhershëm qe reagimi i kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili akuzoi Ramën se po mbjell destabilitet në rajon.

Shqipëria dhe Serbia kanë një marrëdhënie komplekse mes tyre, për shkak të tensioneve të vazhdueshme etnike dhe aspiratave territoriale. Shqipëria e ka mbështetur gjithmonë pavarësinë e Kosovës, fituar në vitin 2008, ndërkohë që Serbia vazhdon që t’i rezistojë presionit ndërkombëtar për ta njohur atë. Edhe pse tensionet mes dy vendeve janë në rritje, ka gjasa që ato të mbeten vetëm në vazhdën e retorikave politike dhe ka pak të ngjarë që gjërat të përshkallëzohen.

Gjatë një interviste të përbashkët me zv/kryeministrin kosovar, Hashim Thaçin, Rama solli në vëmendje dy mundësi për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. E para, kishte të bënte me integrimin e të dyja vendeve në BE. Rama tha se kjo është rruga më e mirë dhe që ai e mbështet plotësisht. Mirëpo, ai përmendi edhe një mundësi tjetër: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në një shtet të vetëm.

Serbia, e cila e konsideron Kosovës ende si provincë të sajën, i ka kundërshtuar deklaratat e Ramës.

Sipas zyrtarëve serbë, Beogradi nuk ka ndërmend që ta rimarrë Kosovën, por gjithashtu, është i vendosur që të bëjë oponencë çdo lëvizjeje për bashkimin e “komuniteteve shqiptare”.

Më 8 prill, një zëdhënës i Komisionit Europian, i kategorizoi deklaratat e Ramës si provokuese.

Tensionet mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk janë të reja. Rringjallja e kërkesave irredentiste ka qenë prej kohësh një tipar i përbashkët i politikës në Ballkanin Perëndimor.

Në një rajon me kompleksitet gjeografik dhe etnik, ku kufijtë shtetërore nuk përputhen me ndarjet linguistike dhe fetare, shumica e vende mbajnë mëri shekullore dhe kanë pretendime territoriale ndaj të tjerëve. Këto situata, shpeshherë kanë çuar në dhunë, me luftërat e e viteve 1990 si shembulli më i fundit.

Një marrëdhënie e vështirë

Teksa Perandoria Osmane zgjerohej nga Anatolia drejt Ballkanit në shekullin XIV, shqiptarët dhe serbët ranë shumë shpejt nën zgjedhën turke. Lëvizjen e myslimanëve, nga Azia e Vogël drejt Ballkanit dhe konvertimet me dhunë e të krishterëve të Ballkanit në myslimanë krijuan një përzierje jo fort të këndshme në këtë territor të popullsisë. Serbët, psh. ndoqën krishterimin ortodoks.

Kur Perandoria Osmane nisi të krisej për të shkuar drejt shembjes totale, në fillim të shekullit XX, disa shtete ballkanike nisën që ta shihnin këtë ngjarje si një mundësi të mirë për të shkëputur territore nga fqinjët. Lufta e Parë Ballkanike (1912-1913), e cila solli edhe largimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani, solli konflikte të mëdha mes shteteve të rajonit. Gjatë luftës, Shqipëria shpalli pavarësinë prej Perandorisë Osmane, por shpejt u gjend nën agresionin e Serbisë. Beogradi e shihte luftën si një mundësi për të përfituar dalje në Adriatik.

Edhe pse Konferenca e Londrës e njohu pavarësinë e Shqipërisë më 1913-n, çka rezultoi me tërheqjen e trupave serbe nga Shqipëria, ajo u bë burim konfliktesh të mëtejshme, pasi përcaktimi i kufijve për shtetin shqiptar la jashtë këtij territori gati gjysmën e popullsisë shqiptare. Irredentizmi shqiptar ekzistonte që prej zgjedhës otomane, por Konferenca e Londrës e ushqeu më shumë atë. Momentalisht, shqiptarët pretendojnë, jo vetëm Kosovën, por edhe një pjesë të mirë të Maqedonisë së sotme, Greqisë, Malit të zi dhe Serbisë Jugore. Mirëpo, këto dëshira bien ndesh me axhendën nacionaliste të Serbisë dhe projektin e “Serbisë së Madhe”, që përfshin territoret e sotme të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe disa territoreve të Shqipërisë.

Situata e minoritetit shqiptar në ish-Jugosllavi, është bërë shumë herë burim konfliktesh mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit. Shqiptarët përbëjnë 90 % të popullsisë së Kosovës, e cila tradicionalisht ka qenë nën kontrollin e Serbisë. Në vitet ’90, Tirana zyrtare i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërhynte në Serbi dhe Kosovë për të ndalur pastrimin etnik të shqiptareve. Po në atë kohë, Beogradi akuzonte Tiranën se po mbështeste grupet separatiste në Kosovë. Marrëdhëniet bilaterale u tendosën sërish në vitin 2008, kur Kosova u shpall e pavarur. Shqipëria e njohu menjëherë pavarësinë e saj dhe kjo e ka irrituar së tepërmi Serbinë.

Rrezik potencial për trazira sociale

Vitet e fundit, Shqipëria dhe Serbia kanë patur marrëdhënie diplomatike të alternuara, vazhdimisht duke provokuar me retorika nacionaliste. Në nëntor të vitit të shkuar, Rama vizitoi Beogradin, e cila ishte e para vizitë zyrtare e një kryeministri shqiptar që prej viteve ’40. Gjithsesi, një incident në një ndeshje futbolli një muaj para vizitës, i bëri disi të vështira bisedimet.

Ndeshja u ndërpre, pasi një dron hyri në fushë dhe reklamonte kufijtë etnikë të popullsisë shqiptare. Por me gjithë tensionet e mundshme, kufijtë në Ballkan kanë shumë pak të ngjarë të ndryshojnë tani për tani. Për shumicën e shqiptarëve, ideja e Shqipërisë së Madhe ka më shumë kuptim simbolik dhe shpirtëror. Ajo hartë e territoreve me shumicë shqiptare më shumë lidhet me solidaritetin dhe identifikimin me grupet e tjera etnike shqiptare jashtë territorit shtetëror të Shqipërisë sesa me pretendimet territoriale.

Disa liderë politikë shqiptarë e kanë përdorur Shqipërinë e Madhe si mjet politik për të marrë ca mbështetje, por nuk ka patur asnjë aksion politik që të rrezikojë destabilitet në rajon prej tyre. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aspiron që të integrohet në BE. Ndaj ka shumë pak të ngjarë që të ketë pretendime territoriale. Sondazhet tregojnë se Shqipëria është e fokusuar drejt BE-së. Nga ana tjetër, Kosova po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe Tirana nuk mund ta përballojë bashkimin me një vend të tillë, ku papunësia po arrin shifra të frikshme. Edhe çështja e Serbisë është e ngjashme. Për arsye politike, Beogradi nuk mund ta njohë ende Kosovën. Qeveria e Serbisë e di mirë se e ka humbur Kosovën dhe ajo s’mund të jetë më pjesë e Serbisë. Nga ana tjetër, BE-ja i ka dhënë përparësi normalizimit të marrëdhënieve Serbi –Kosovë, duke e vendosur edhe si kusht të domosdoshëm për integrimin e Serbisë në BE.

Gjithsesi, marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën mund të gjenerojnë probleme në të ardhmen. Shqipëria është etnikisht homogjene, krahasuar me Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Edhe pse Shqipëria është e familjarizuar me destabilitetin politik brenda saj, tensionet etnike janë të pazakonta atje. Ndaj, Kosova paraqet edhe një lloj rreziku për Shqipërinë. Së pari, përplasjet e grupeve etnike serbe dhe shqiptare në Kosovë janë shoqëruar gjithnjë me ngrirje të marrëdhënieve Tiranë-Beograd. Së dyti, Tirana nuk është gati që të mbajë barrën e rëndë të Kosovës, ku papunësia është e lartë dhe ekonomia e rrënuar. Nëse Shqipëria do të bashkohej me Kosovën sot, do të kishte trazira sociale, që më shumë do ta dëmtonin Shqipërinë se çdo vend tjetër.

Presion ndaj Bashkimit Europian

Edhe pse deklarata e Ramës ishte kryesisht për audiencën e brendshme, qeveria shqiptare po përdor idenë e bashkimit me Kosovës për të bërë presion ndaj Bashkimit Europian për të përshpejtuar procesin e pranimit. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe vendi u bërë zyrtarisht kandidat në 2014. Gjatë dekadës së fundit,  Tirana ka ndërmarr disa reforma për të tërhequr investimet e huaja, liberalizimin e ekonomisë dhe pranimin në Bashkimin Europian. BE vijon ende të kërkojë reformat ë mëtejshme, kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkimi Europian aktualisht është duke vuajtur nga “lodhja e zgjerimit”. Pas pranimit të 12 anëtarëve të rinj në vitet 2004-2007, blloku nuk ka më oreks për anëtarësime të reja. Kriza ekonomike ka çuar në një krizë politikë çka komplikon aksesin e vendeve të tjera. Kroacia u anëtarësua në BE në vitin 2013, por do të jetë vendi i fundit që do të arrijë të njejtën gjë për një kohë të gjatë. Shqipëria dhe Serbia e kanë të pamundur të anëtarësohen gjatë kësaj dekade. Ndërkohë, Kosova për një kohë të gjatë kërkon liberalizimin e vizave me bllokun kontinental. Tirana dhe Prishtina kërcënuan me bashkim pasi kanë parë ngecjen në procesin e negociatave.

Mbështetja e madhe për anëtarësim në BE te shqiptarët, shpjegon përse Tirana do të aplikojë presionin politik ndaj bllokut, pa pasur nevojën të veprojë pas deklaratave të forta të qeverisë.

Gjithsesi, negociatat e Shqipërisë me Brukselin do të zvarriten për shumë vite, por mungesa e progresit mund ta rrezikojë këtë ekuilibër e të çojë në destabilitet rajonal.

*Stratfor është kompani private amerikane e Inteligjencës

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.033295154571533
array(1) { ["section"]=> string(60) "ekonomia-kosovare-pengese-per-bashkimin-shqiperi-kosove-8386" }