Pas vendimit të beftë për ekstradim në Itali të anëtarit të grupit të “Habilajve”, Nazar Seiti, ka reaguar avokati i këtij të fundit, Detar Hysi duke thënë se kanë vendosur që të ngrejnë një kallëzim për prokurorët e çështjes.
Sipas Hysit, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka tejkaluar kompetencat e saj në rastin e Seitit. Avokati në fjalë ka thënë se masat e sigurisë për Nazar Seitin janë marrë të indiciuara nga përgjimet italiane.
Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se nuk ka marrë njoftim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për procedimin penal kundër Seitit. Kryeprokurorja Marku ka kërkuar procedim penal për shkeljet në këtë çështje si dhe ka kërkuar nisjen e verifikimeve nga KLD për dërgimin e Seitaj në itali. Në njoftimin zyrtar të saj Prokuroria e Përgjithshme tha gjithashtu se ka konstatuar shkelje dhe ka proceduar penalisht 4 prokurorë të çeshtjes.
Seiti u arrestua në një operacion të policisë në Babicë të Vlorës në muajin tetor të vitit të kaluar, ku u sekuestruan 4 tonë kanabis. Nga përgjimet e policisë, ai rezulton i implikuar në trafikimin e drogës dhe kishte rolin e “financierit” të Habilajve, ku merrej me shpërndarjen e parave drejt anëtarëve të bandës.