Ekstradohet në Shqipëri nga Italia ku fshihej, Tristan Peci, i cili në vitin 2005 kreu një tentativë vrasje në vend duke u dënuar nga gjykata me 15 vjet e 6 muaj burg.
Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Milano të Pecit, 31 vjeç, lindur e banues në Elbasan. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Vrasje të mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”. Në vitin 2006 Gjykata Elbasan e ka dënuar Pecin me 15 vjet e 6 muaj burg.
“Më datën 24.08.2005, rreth orës 10:00 shtetasi Tristan PECI dhe shtetasi K. P. kanë qenë duke udhëtuar me makinën tip “Toyota”, dhe kanë mbërritur në afërsi të shkollës së mesme “Ahmet DAKLI”. Aty kanë parë shtetasin H. T, duke ecur në bulevard, kanë ndaluar makinën dhe kanë zbritur nga makina kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri. Tristan PECI ka qëlluar me pistoletë ndërsa K.P me automatik dhe më pas janë larguar me shpejtësi , kanë parkuar makinën tek shtëpia e shtetasit L.T., dhe janë larguar në drejtim të paditur.”, bën me dije historikun e ngjarjes së ndodhur policia. Në bashkëpunim me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij ne Itali. Peci iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.