Nga Specialistët e Interpol Tirana është kryer sot ekstradimi nga Athina, Greqi drejt vendit tonë, i shtetasit Karafil Beqiri, 55 vjeç, lindur në Tepelenë.
Karafil Beqiri ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar me 20 vjet burgim për veprat penale “Vjedhje me armë me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim“ dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në datë 06 korrik 1997 shtetasit, V.A., F. P dhe K. P, po udhëtonin me automjetin e shtetasit V.Xh, në drejtim të Greqisë.
Shtetasi F.P, kishte me vete një shumë prej 700 000 dhrahmi të cilat do ti çonte në Greqi.
Në vendin e quajtur “Zaje”, në afërsi të Gjirokastrës, automjetit në të cilin udhëtonin shtetasit e mësipërm i kanë dalë përpara me qëllim për ta grabitur, shtetasit Karafil Beqiri, N. Gj., L.M, A. B dhe E.K.
Fillimisht këta shtetas të cilët kanë qenë edhe të armatosur me armë zjarri, kanë qëlluar në ajër me qëllim që automjeti i shtetasit V. Xh të ndalonte, por ky i fundit ka nxjerrë armën automatike kallshnikov që e mbante me vete dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të shtetasve që kishin dalë për ta grabitur.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë shtetasit V. Xhavara dhe F. Piperi.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athina, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Karafil BEQIRI në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.