Elbasan/ Ndahen 550 leje legalizimi, Lame: Zgjidhje për zonat e ndotura dhe zonat e mbrojtura

Publikuar tek: aktualitet, më 20:14 16-03-2015 Elbasan/ Ndahen 550 leje legalizimi, Lame: Zgjidhje për zonat e ndotura dhe zonat e mbrojtura

Në Elbasan u shpërndanë sot 550 leje legalizimi për banorët e zonave informale, duke përmbushur kështu dhe një nga premtimet kryesore të kësaj mazhorance, legalizimin falas.  I pranishëm në këtë takim ishte Kryeministri Rama i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame, kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe deputetë të këtij qarku.

Në një vit e gjysmë Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t në Elbasan ka përpunuar gjithsej 3500 dosje, 550 prej të cilave iu shpërndanë sot qytetarëve, aq sa janë shpërndarë në tetë vitet e kaluara të marra sëbashku. Ndërsa pjesa tjetër e dosjeve të përpunuara janë në proces për t’iu dorëzuar qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, solli në vëmendje disa nga problematikat që mbart zona e Elbasanit sa i përket procesit të legalizimeve, të cilat po marrin zgjidhje falë ndërhyrjeve të duhura që po kryhen. Më konkretisht ai theksoi se vetëm fillimi i punës në landfill-in e Elbasanit hap rrugën e legalizimit në 2-3 zona informale, të cilat deri tani konsideroheshin të palegalizueshme për shkak të ndotjes. “Një zonë e tillë është zona e përroit të Zaranikës, e cila ka qenë e braktisur dhe që unë dëshiroj t’ju them këtu se ne e kemi marrë shqetësimin tuaj që përpara 2-3 javësh, e kemi diskutuar për ta futur si zonë informale. Çështja e landfill-it të Elbasanit hap rrugën e legalizimit në 2-3 zona të tjera informale, të cilat janë konsiderua deri më sot si zona të ndotura në të cilat nuk kryheshin legalizimet.”- theksoi Lame. Një tjetër problematikë, sipas tij, është edhe legalizimi i ndërtimeve pa lejë brenda zonave të mbrojtura të qyteteve, çështje për të cilën ALUIZNI është duke bashkëpunuar me Institutin e Monumenteve, me qëllim mundësimin e legalizimit për këto objekte. “Ajo që po bëjmë ne në këto moment është që bashkërisht me Institutin e Monumenteve të gjejnë një rrugë të mesme, t’u themi këtyre qytetarëve që bëni këto ndryshime të duhura në projektin e asaj që keni ndërtuar dhe ne kemi mundësinë t’ju fusim në legalizim” – tha Artan Lame.

Në vijim, Kryeministri Rama u dorëzoi personalisht qytetarëve disa prej 550 lejeve legalizimit, shumë prej të cilëve kishin aplikuar për legalizimin e shtëpive në vitet 2005-2006. Zoti Tajar Brahja ishte një ndër qytetarët që mori lejen e legalizimit, i cili tha se aplikimin e kishte bërë që në vitin 2005. “Aplikimin e kam bërë 10 vjet më parë dhe jam sorollatur nëpër të gjithë dyert e ALUIZNI-t”.

Qemal Çota, nga Bashkia Librazhd, ishte një tjetër kryefamiljar që mori lejen e legalizimit. Në qytetin e Librazhdit, sipas të dhënave nga ALUIZNI, Kryeministri theksoi se në 8 vjet, nga viti 2005 në vitin 2013, qeveria e asaj kohe ka dhënë vetëm 1 leje legalizimi. “Kam 20 vjet që e pres këtë ditë” – u shpreh Qemal Çota, ndërsa merrte lejen e legalizimit.

Në vitin 2006 kishte aplikuar edhe familja e Syrja Hasanit, në Elbasan. “Kënaqësi e madhe sot për mua që marr këtë certifikatë pronësie. Ju falenderoj shumë ju dhe Drejtorinë e ALUIZNI-t. Kam aplikuar që në vitin 2006. Tani nuk paguam asgjë, e morëm falas lejen e legalizimit, se na thoshin do paguani 5 milionë. E morëm falas. Faleminderit shumë!” – tha zonja Hasani.

Tomorr Topuzi, nga Labinot Fushë, mori lejen e legalizimit për një objekt të ndërtuar për qëllime biznesi. “Me marrjen e kësaj pasurie, – tha ai,- janë 22 vjet punë. Marrja e lejes i jep vlerë atij biznesi, asaj pasurie të krijuar me sakrifica. Është e paimagjinueshme”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Pezullohen 8 punonjës nga dogana e Kakavijës, akuzohen për kontrabandë
Dokumenti sekret i Policisë: Deputeti Frroku fshehu në makinën e tij trafikantin e drogës »
Article Logic
Execution time: 0.011362075805664
array(1) { ["section"]=> string(95) "elbasan-ndahen-550-leje-legalizimi-lame-zgjidhje-per-zonat-e-ndotura-dhe-zonat-e-mbrojtura-6098" }