‘Elisa në botën e çmendurirave’

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:55 05-02-2019 ‘Elisa në botën e çmendurirave’

Nga Arben Rrozhani

 

Nuk është e vështirë të kuptohet se sa rëndë dhe pa lidhje ka folur sot Elisa Spiropali. Zëdhënësja e qeverisë u bë femra më e urryer nga komentuesit online, për deklaratën e saj ‘çmenduri’ mbi ngjarjen e rëndë në Kavajë, ku një e mitur ishte përdhunuar në grup dhe ngjarja ishte fshehur nga të gjitha instancat shtetërore. Hakmarrja e komentuesve ishte mizore, por e justifikueshme. Fjalët, memet dhe fotomontazhet ishte përgjigja e publikut që vijon të jetë i indinjuar nga indiferenca dhe kundërsulmi idiot i qeverisë për të mos pranuar pjesën kryesore të fajit që ka në shkatërrimin e jetës së një fëmije.

Elisa Spiropali nuk është më njëra prej veprimtareve të G 99, siç hyri në tregun politik. I është besuar detyra e zëdhënies së qeverisë, ndaj çdo fjalë që nxjerr nga goja është qëndrimi i Ekzekutivit. Por duket se ajo nuk ka aq tru sa ta kuptojë këtë. Ose është aq e frustruar nga emërimi ministre, edhe pse pa portofol, saqë nuk e vret mendjen se çfarë thotë.

Elisa mund të dilte shumë mirë në konferencë me gazetarët dhe të kërkonte falje në emër të qeverisë që një ngjarje horror për jetën e një fëmije është mbajtur e fshehtë nga të gjitha instancat vendore dhe qendrore. Nga shkolla, policia, deri te drejtësia, të gjithë e nënvlerësuan, siç tha Elisa si një ‘film’ dhe nuk denjuan as ta shihnin se çfarë drame po luhej me jetën e 13-vjeçares.

Por për këtë qeveri, nga baza deri në qendër, qenka ‘çmenduri’ të të kërkojnë llogari dhe të kërkosh falje, pse nuk ke bërë detyrën e ngarkuar, të ketë shkarkime dhe ndëshkime të rënda që të bëhen shembull për të tjerët. Ministrja e Arsimit ende nuk ka njoftuar ndonjë shkarkim në DAR Kavajë, apo në shkollën ku studionte viktima e përdhunimit; ministri i Brendshëm ende nuk ka thënë se çfarë do të bëjë me policët, apo SHÇBPA-në; prokurorja e përkohshme nuk ka ende një reagim nëse do të ketë ndonjë kërkesë llogarie për Akuzën në Kavajë. Për të gjithë vepron ‘Kodi i heshtjes’ si në një familje mafioze. Të gjithë po mundohen të imitojnë ministrin e Brendshëm, që ndër urdhërat e parë që nxorri ishte fshehja për mediat dhe publikun e komunikatës ditore të ngjarjeve, ku përfundonin, deri pak javë më parë, shumica e ngjarjeve që ndodhnin në vend. E quajnë të mbyllur nëse ato mbahen të fshehta duke mos i raportuar, të zgjidhura nëse nuk ndërhyjnë siç e kanë për detyrë dhe të parëndësishme nëse i kategorizojnë të denja për film.

‘Çmenduri’ të tilla vetëm këtu ndodhin. Nga zyrtari më i ulët në bazë deri te fytyra e qeverisë, ‘Elisa në botën e çmendurirave’, që s’ka as turp, as ndrojtje dhe as përgjegjësi ekzekutive që të dhunojë sërish një viktimë të sistemit të kalbur që vetë kanë ndërtuar. Dhe që nesër do të dalë sërish të flasë si ministre dhe zëdhënëse e qeverisë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0046391487121582
array(1) { ["section"]=> string(36) "elisa-ne-boten-e-cmendurirave-151679" }