Njësia anti-terror në Policinë e Shtetit ka shoqëruar në ambientetet e saj dy persona të dyshuar si autorë të email-it kërcënues të dërguar dy ditë më parë në adresë të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Të shoqëruarit nga policia janë shtetasit Klodjan Mahmutaj dhe Valter Meshi, të dy nga Kashari i Tiranës. Mahmutaj dhe Meshi dyshohet se kanë dërguar në emër të organizatës “Brigada e Kuqe”, email-in kërcënues në drejtim të Tahirit.
“Do dridheni e do gjunjëzoheni para Allahut. Tani e keni rradhën ju. Filloi Lufta e shenjtë ndaj atyre që janë përfshirë në luftën kundër ISIS”, shkruhej në mesazhin kërcënues.
Kërcënimi u dërgua vetëm një ditë pas sulmeve terroriste në Paris, ku humbën jetën 129 persona dhe u plagosën më shumë se 350 veta.