Edhe pse moti gjatë ditëve të fundit të muajit qershor ka qenë i paqëndrueshëm, duket se nuk ka arritur ti pengojë qindra mijëra turistë drejt bregdetit shqiptar. Plazhet shqiptare nga Velipoja deri në Klasmil janë tejmbushur me pushues shqiptarë por ajo që vihet re është numri në rritje i turistëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre për pushimet verore.
Por nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Edhe këtë vit, siç është bërë traditë tashmë prej disa vitesh, në bar-et moderne verore e buzë detit kanë nisur edhe shkuma-party-t.
Muzika e lartë, kokteilet alkoolike nga më të ndryshmet apo pijet freskuese dhe shkuma party gjenden me lehtësi në shumë plazhe të frekuentuara kryesisht nga të rinjtë, duke nisur nga Vlora, Dhërmiu, Saranda e deri në Ksamil, ndërsa Durrësi dhe Velipoja me rërën e tyre të butë, vazhdojnë të ruajnë traditën e plazheve të qeta, kryesisht për pushime familiare.
Diku më të ulta, diku më të larta, çmimet edhe këtë vit janë pothuajse të njëjta me vitin e kaluar. Plazhet tashmë vëzhgohen edhe nga roja bregdetare si dhe patrullat “kaliforiane” të Policisë të pajisura me biçikleta për të oferuar pushime sa më të qeta dhe pa incidente.