Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u takua sot me një nga drejtoritë kryesore të bashkisë së tij, atë të mirëmbajtjes.
“Deri një vit më parë, shqetësimi kryesor që kishim në Tiranë ishte problemi i pusetave. Ishte fakti se merrnim denoncime të herëpashershme, që njerëzit binin në puseta e vriteshin. Sot, pothuajse në gjithë Tiranën, kemi zgjidhur një sfidë, por kemi bërë edhe luftën tonë me hajdutët, për të perfeksionuar sa më shumë mënyrën sesi pusetat mund të mos vidhen. Sot na vjen për të qeshur, por në fakt ky ka qenë një realitet. Dhe sot, nëpërmjet aplikacionit “Tirana ime” ne marrim denoncimet dhe shkojmë menjëherë për të rregulluar gjithë defektet” tha Veliaj.
Por ndërkohë, në kuadër të minimizimit sa më shumë të ndotjeve, të pastrimit të qytetit, Veliaj jep një tjetër lajm që do të rëndojë në buxhetin e qytetarëve.
“Jemi në rrugë të mbarë për të rënë dakord me gjithë subjektet që të vendosim pagesë për qeset plastike. Ato e ndotin ambientin. Ndaj do të bëhen me pagesë. Sikur pesë lekë të jetë, por njerëzit, do të mundohen të mbajnë trajset e tyre, dhe nuk do të blejnë ndoshta qese. Edhe në Londër kur filloi kjo praktikë pati një lloj pakënaqësie, pas kësaj, gjithcka u normalizua dhe njerëzit u ndërgjegjësuan” tha Veliaj.
Ndërkohë ai evidentoi dhe faktin se duhet të punohet më shumë për transportin publik, madje për të përmirësuar rrugët edhe me korsinë e bicikletave.