Fajtorët e denazifikimit të munguar të Serbisë

Publikuar tek: analiza-komente, më 16:13 15-11-2020 Fajtorët e denazifikimit të munguar të Serbisë

Nga Elton Peci

Ka dekada kur asgjë nuk ndodh, dhe ka javë kur dekadat ndodhin. Një thënie kjo nga Vladimir Ilyich Lenin që më së miri përshtatet me shumë momente në histori. Mendoj se në raportet e shtetit të Kosovës me Serbinë, kjo e fundit ka forcuar pozitat dhe kjo rrezikon të dëmtojë atë cka është arritur me gjak gjatë luftës së Kosovës.

Pas Luftës II Botërore, bota e shokuar nga krimet e Gjermanisë naziste, e detyroi këtë të fundit që ti nënshtrohej një proçesi denazifikimi të shoqërisë. Ky proçes denazifikimi nuk u ndal vetëm tek gjyqi i Nurenbergut, por u shtri edhe tek popullata e cila prej vitesh ishte brumosur me propagandën e Goebelsit mbi racën superiore gjermane. Forcat aleate e detyruan popullatën gjermane të Buchenwaldit dhe Weimerit të shikonin nga afër realitetin e kufomave në kampet e përqëndrimit. Programet shkollore u ndryshuan që të mos përmbanin urrejtje raciale dhe u mbushën me informacione në mënyrë që gjermanët e rinj të njihnin sa më saktë se çfarë krimesh kishte kryer Rajhu III në Evropë. E njëjta ndodhi edhe me Japoninë dhe japonezët pas Luftës II Botërore. Suksesi i këtyre proçeseve duket qartë në ndjenjën e turpit që shfaqet tek një gjerman apo japonez kur lind një diskutim mbi këtë periudhë të erret të shekullit të kaluar.

Krimet ndaj njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi për fat të keq u përsëritën në Evropë edhe 50 vite pas mbarimit të Luftës II Botërore. U përsëritën në luftërat që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë. Në këtë pjesë të Evropës, ku kufijtë u përcaktuan mbi kritere që binin ndesh me realitetin etnik-historik, ishin serbët ata që e konsideronin veten si racë superiore. E gjithë bota i pa masakrat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Të gjithë e panë eksodin biblik të shqiptarëve që përmbytën pikat e Morinit dhe të Bllacës. E gjithë bota e pa Reçakun dhe Krushën.

Ndërhyrja e NATO-s është pa dyshim momenti më i rëndësishëm në historinë shqiptare të pas pavarësisë. Kjo ndërhyrje nënvizoi qartë se kush ishte viktima, kush agresori dhe kush ishin luftëtarët e lirisë të UÇK-së. Kjo ndërhyrje bëri të mundur edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Por shumë shpejt, Evropa u mjaftua me kaq. Nuk e detyroi Serbinë ti nënshtrohej edhe ajo një proçesi denazifikimi. U mjaftuan të gjithë me gjyqin ndaj Miloshevicit a thua se vetëm ai ishte përgjegjësi i vetëm. Asnjë nga qeveritë e shtetit serb nuk njeh krimet e kryera në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Njohja duhet të perfshijë që nga notat verbale deri tek dëmshperbimet si ato që u detyrua të paguajë Gjermania, Japonia dhe Italia pas Luftës II Botërore.

Por për fat të keq gabime këtu ka edhe faktori shqiptar në të dy anët e kufirit. Ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nga qeveritë dhe parlamentet shqiptare në Prishtinë apo Tiranë që të klasifikojnë ngjarjet në luftën e Kosovës si gjenocid ndaj shqiptarëve. Këtu duhet të marrim shembull nga izraelitët dhe armenët të ciët nuk i harrojnë gjenocidet që kaluan. E gjithë bota tashmë ka dëgjuar tashmë për gjenocidin ndaj armenëve dhe atë ndaj hebrejve. Po nuk e cilësuam ne si gjenocid, atëherë kjo nuk ka për të ndodhur nga Evropa!

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk kanë nxjerrë deri më sot ndonjë mandat arresti për ndonjë individ serb që akuzohet për krime lufte në Kosovë ndaj popullatës shqiptare. Dhe kjo është një e metë shumë e madhe e të dy qeverive shqiptare. Izraeli nuk u mjaftua me proçesin e denazifikimit të Gjermanisë dhe me gjyqet e Nurenbergut. Mosadi (sherbimi sekret izraelit) i gjurmoi kriminelët nazistë (nga më të rëndësishmit deri edhe tek më pak të rëndësishmit) edhe 30-40 vite pas mbarimit të Luftës II Botërore. Boll të kujtojmë këtu kriminelin nazist Adolf Eichman, që u soll nga argjentina në 1960 për tu gjykuar në Izrael në vitin 1961. Të mos harrojmë se për pjesmarrje në gjenocidin në Ruanda, François Bazaramba u dënua me burgim të përjetshëm në Finlandë. Pra nuk ka pengesa juridiksioni për të tilla krime.

Dosjet e akuzave duhet të përpilohen dhe të jenë aktive. Po me sa duket faktori shqiptar në të dy anët e kufirit ka qenë shumë i fokusuar me luftën e brendshme politike për të rregjistruar historinë. Ne dështuam të nxjerrim një Simon Wiesenthal. Politika e fqinjësisë së mirë, pa “njohur” historinë është e pavlerë dhe nuk sjell asnjë përfitim.

Në të gjitha negociatat me Serbinë, shteti i Kosovës ka lëshuar pe në mënyrë kronike. Dhe kjo as nuk është vlerësuar aspak nga Evropa. Kosova ka pranuar (e detyruar) të shkruajtë në kushtetutën e saj që është shtet multietnik (?!), ka pranuar të ndyshojë flamurin, ka hequr dorë nga kishat duke ja njohur ato si trashëgimni Serbisë (?!), e ka të ndaluar të flasë për bashkim kombëtar me Shqipërinë, ka pranuar formimin e gjykatës speciale etj etj. Vetëm Gjermania dhe Austria e kanë të ndaluar nga traktatet që pasuan Luftën II Botërore të bashkohen edhe pse janë një komb. Kjo sepse dihet se çfarë vuajtje dhe vdekje shkaktoi Rajhu III. Përkundrazi, shqiptarët në të dy anët e kufirit duhet të kujtojnë se as nuk kanë shkaktuar të njëjtat krime dhe as ka ndonjë traktat ndërkombëtar që të ndalojë në mënyrë eksplicite retorikën mbi bashkimin kombëtar. Një gabim shumë i madh ishte edhe lejimi i formimit të gjykatës speciale dhe kjo për shumë arsye. Arsyeja kryesore është se deri tani shteti i Kosovës ende nuk ka ndërmarrë një proçes gjyqësor kundrejt ushtarakëve apo qeveritarëve serbë për pjesmarrjen në krimet ndaj shqiptarëve. Veç kësaj, nuk mund të pranojmë që drejtësia e vonuar evropiane të verë shenjën e barazisë mes viktimës dhe agresorit.

Në të kundërt, serbët kanë qenë më aktivë në “ruajtjen” e pozitave dhe të figurës së tyre. Ndërkohë kanë filluar edhe me përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, atë që disa e quajnë aleatin natyror të Shqipërisë. Një amulli e tillë rrezikon që Kosova të pësojë fatin e Nagorno-Karabakut.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Tetë SKENARËT e zgjedhjeve të 25 prillit, ja pse janë ndër më të rëndësishmet e këtyre 30 viteve
»
Article Logic
Execution time: 0.01079797744751
array(1) { ["section"]=> string(53) "fajtoret-e-denazifikimit-te-munguar-te-serbise-227823" }