Shoqata e të Afërmëve të të Rënëve të Eposit 1940, me anë të një letre për mediat shqiptare ka kërkuar nga Republika e Shqipërisë që të zbatojë marrëveshjen e vitit 2009 të arritur me palën greke, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushatarëve grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke, e zhvilluar në territorin shqiptar.
Sipas kësaj shoqate, eshtrat e ushtarëve grekë duhet të varrosen në varreza ushtarake pa asnjë detyrim financiar nga pala shqiptare.
“Për shkak të rëndësisë shumë të madhe dhe të karakterit human dhe moral të kësaj çështjeje që qëndron prej vitesh pezull, lutemi që të jipni kontributin tuaj për trajtimin e saj të menjëhershëm, gjë që sigurisht do të ndikojë edhe tek marrëdhëniet dypalëshe por edhe në forcimin e besimit midis dy vendeve dhe dy popujve tanë, të cilët duhet të bashkëjetojnë, në mënyrë paqësore dhe krijuese, në kuadrin e Bashkimit Europian”, thuhet në letrën e shqiptarëve.
Letra e plotë e shoqatës greke:
Shoqata e të Afërmëve të të Rënëve të Eposit 1940, u krijua në bazë të Marrëveshjes që ratifikoi Parlamenti Shqiptar më 26 Mars 2010 ( Neni 1, paragr. 8). Me qëllim shmangien e keqinterpretimeve dhe konkluzioneve arbitrare, lutemi që të informoni popullin mik shqiptar se kërkesa jonë e vetme është që Qeveria Shqiptare të lejojë mbledhjen e eshtrave të të Afërmëve tanë që u vranë gjatë luftës Italo-Greke 1940 – 41 dhe të bëhet varrimi i tyre në Varreza Ushtrarake, ashtu siç parashikon Marrëveshja, pa asnjë detyrim financiar nga ana e Pales Shqiptare.
Më konkretisht, kërkojmë që të zbatohet Marrëveshja që u firmos në Tiranë më 9.2.2009, e cila u ratifikua nga Parlamenti Grek më dt. 07.04.2009 dhe nga Parlamenti Shqiptar më dt. 26.03.2010, ku ndër të tjera theksohet: « [….] Duke njohur dimensionin human dhe rëndësinë etike që ka varrimi me respekt dhe dinjitet i ushtarakëve Grekë që ranë në operacionet luftarake gjatë Luftës Italo-Greke të 1940 – 41 në Shqipëri ....».
Pasi kaluan mbi shtatëdhjetë vjet që nga Lufta Italo-Greke dhe gjashtë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së mësipërme, përparësi në rradhë të parë, ka fillimi i menjëhershëm i punimeve në terren me qëllim kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e të rënëve Grekë të luftës. Njëkohësisht, duhet të mblidhet përsëri Komisioni Miks i Ekspertëve Grekë dhe Shqiptarë, i cili u ngrit në bazë të Marrëveshjes (Neni 3, par. 5), dhe është mbledhur vetëm një herë në dt. 25.04.2012, kur hartoi Rregulloren e brëndëshme, por pa u zbatuar asnjë prej vendimeve të tij.
Për shkak të rëndësisë shumë të madhe dhe të karakterit human dhe moral të kësaj çështjeje që qëndron prej vitesh pezull, lutemi që të jipni kontributin tuaj për trajtimin e saj të menjëhershëm, gjë që sigurisht do të ndikojë edhe tek marrëdhëniet dypalëshe por edhe në forcimin e besimit midis dy vendeve dhe dy popujve tanë, të cilët duhet të bashkëjetojnë, në mënyrë paqësore dhe krijuese, në kuadrin e Bashkimit Europian.
Bashkëngjitur Marrëveshja që u ratifikua me ligj prej dy Parlamenteve.
KRYETARI I NDERIT
Georgios Sourllas
Ish ministër, ish Nënkrytar Parlamenti
KRYETARI I SHOQATËS
Aristidis Bouloukos
Ish deputet , Gjenerel Leitnant në lirim