FATURA E KAFES SË NEGOCIATAVE

Publikuar tek: pa-stres, më 08:16 23-10-2019 FATURA E KAFES SË NEGOCIATAVE

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Pas dështimit në hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, tre pushtetarët më të rëndësishëm të vendit, Edi, Luli dhe Likja, u takuan jo formalisht për të analizuar shkaqet e asaj që ndodhi:

EDI – Ia hodhëm edhe kësaj rradhe çuna! E gjitha për meritën time!

LULI – Këtë ke të keqe ti Edo, ti i do të gjitha për vete! Kjo është fitorja ime!

LIKJA – Të kishte qenë për ju, do ishin hapur negociatat. Më thoni faleminderit mua!

Edi futi dorën në poturet japoneze dhe foli duke kruar mandarinat:

EDI – E rëndësishme është që nuk u hapën. Ia shtymë kohën vetes. Nuk ua mohon njeri kontributin, por asnjë nuk mund të thotë që ka punuar më fort se shefi i vet!

LULI – Ti nuk je shefi im! Mua ma la partinë Berisha!

EDI – O Lul, do rrish urtë apo të të pres një biletë Tiranë-Amsterdam vetëm vajtje! Dua unë, pa ti je aty ku je!

LIKJA – Unë jam presidenti i vendit, si mund të jesh ti shefi im!

EDI – Fol mirë Like se të lëshova Ulsiun të të bëjë copa! Harrove se kush të vuri president?

Ore se po më çudisni ju mua! Doni ta prishim biznesin? E prishim! Dilni në rrugë dhe bëni opozitë. Bëni protesta bëni çfarë të doni dhe shkojmë në votime. Po kujdes, do përfundoni më keq seç mendoni se jeni sot!

LULI – Pse ke kaq shumë siguri?!

LIKJA – Pse ke kaq shumë besim tek vetja?!

EDI – Sepse kam punuar për këtë ditë. E kam akoma popullin me vete.

LULI – Populli nuk të do, nuk do të të shohë me sy!

EDI – E kush po kërkon nga robt të më duan? Më mjafton vetëm vota e tyre.

LIKJA – E si do të ta japin votën pa të të dashur?!

EDI – Këtu qëndron e gjithë mjeshtëria ime. Dëgjoni, sa kohë të jetë gjallë Sali Berisha, e përdor si gogol për të trembur njerëzit. Nuk më doni mua? Doni këtë? Doni '97-ën? Doni Gërdecin? Doni 21 Janarin? Ata që nuk tremben nga Berisha, i tremb me ty o Lul! Doni Lulin? Gjumashin? Doni kunatin? Doni hajdutin e rrugës së kombit? Ja ku u trembën edhe një grup i madh. Disa të tjerë i tremb me ty Like dhe Monën. Mbase nuk do tremben, por do të shqetësohen, madje disa do të tërbohen. Për ata më "trimat" kam metoda të tjera. Pensionistët i tremb me pensionet. Të punësuarit, me vendin e punës. Ata që janë shtresë e mesme, i tremb duke u treguar se si për gjashtë muaj jam në gjendje t'i bëj shtresë të varfër. Kush më ndihmon mua për këto? Oligarkët dhe pronarët e mediave. Të mëdhenjve u jap para të madhe, me interes, kuptohet, se do ha edhe unë. Më të vegjëlve u hedh nga një kockë. Kur të vijnë votimet, shumë do votojnë për mua, shumë do numërojnë për mua, shumë do mbrojnë votimet e mia... kështu që unë do të fitoj edhe më thellë sesa herën e fundit! Këtë di ta bëj vetëm unë o shokët e mi, sepse jam thjesht më i zgjuar se ju dhe mbi të gjitha jam orator edhe më i madh se vetë mësuesi im, Konica!

Pasi tha këto Edi u çua dhe bëri të dalë nga lokali. Likja dhe Luli u zunë gjysmë ore siç bëjnë shqiptarët kur duhet të paguajë kafet. Veçse jo tamam si shqiptarët, ata i thoshin njëri-tjetrit "Pse t'i paguaj unë? Paguaji ti, se ti po fiton më shumë se mua...!"

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.007418155670166
array(1) { ["section"]=> string(36) "fatura-e-kafes-se-negociatave-183135" }